ILO, dhe Presidenti Topi “shuajnë” entuziazmin e Berishës: “Shqipëria e prekur nga kriza”
Me gjithë entuziazmin e kreut të qeverisë, se vendi ynë nuk do të preket nga kriza, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Juglindore (ILO), Mark Levin, ka deklaruar të kundërtën. Sipas Levin, edhe vendi ynë, do të preket nga kriza ekonomike që ka “pushtuar” gjithë globin. “Të gjitha vendet janë të rrezikuara nga efektet e krizës. Ka shumë tregues që bëjnë vlerësimin e krizës. Në rastin e Shqipërisë është çështja e eksporteve. Nëse vihet re mbyllje e tyre, në vend do të ketë mbyllje njësish ekonomike, ç’ka do të sjellë rritje papunësie. Një tregues tjetër është ajo e volumit të parave të emigrantëve, në rastin e vendit tuaj, ulja e tyre do të shkaktonte probleme”, - shprehet Levin. Këto deklarata janë bërë dje gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në të cilën ka qenë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit, kërkoi marrjen e masave për përballimin e efekteve të krizës si dhe rishikimin e strategjisë së punësimit. “Për përballimin e ndonjë çekuilibri që mund të krijohet nga efektet e krizës globale, duhet që të gjithë së bashku ta marrim me një seriozitet të veçantë pa u përpjekur për të nxjerrë përfitime të çastit, por duke marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e burimeve reale me të cilat do të bëhet financimi i mbrojtjes shoqërore”- deklaroi në fjalën e tij Presidenti i Republikës.
INSTAT: Në muajin mars tregtia me vendet e BE-së zuri 68,5 për qind”
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian në muajin mars të vitit 2009 zuri 68,5 për qind.
Instituti i Statistikave bëri dje të ditur se, partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 63,7 për qind dhe importi 28,1 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 16,1 për qind dhe importi 14,7 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur gjatë muajit mars 2009, janë: për eksportin, Greqia, Italia, Kroacia, Maqedonia, Spanja, etj., dhe për importin, Austria, Italia, Kina, Maqedonia, Spanja, etj. Sipas INSTAT, tregtia me vendet e BE-së në muajin shkurt 2009 zuri 67,4 për qind. Edhe gjatë muajit shkurt, partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë kanë qenë Italia dhe Greqia. Gjatë muajit mars nga vendi ynë u eksportuan 7,956 miliardë lekë mallra të ndryshme, duke pasur një rritje prej 5,9 për qind në krahasim me muajin shkurt të 2009 dhe ulje me 13,5 për qind në krahasim me muajin mars 2008. Në krahasim me muajin paraardhës, për disa nga grup-mallrat, eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 82,9 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 20,4 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 17,7 për qind, etj. Sipas INSTAT-it, edhe në muajin shkurt të vitit 2009 eksporti ka qenë më i lartë se në muajin janar me 13.1 për qind.
7 Maj 2009