Familjarët: Çështjen ia lëmë PS-së
ROSKOVEC/ MAJLINDA RAMA
"Zbardhjen e vrasjes së Fatmirit ia kemi lënë në dorë Partisë Socialiste. Për ta ka kontribuar për shu-më kohë". Kunati i deputetit të vrarë, i sapombërritur nga Italia, ka reaguar ashpër për krimin ndaj burrit të motrës, duke kërkuar nga deputetët e PS-së angazhimin e plotë në këtë çështje. Ai e ka mësuar lajmin e rëndë ndërsa ndodhej në shtetin fqinj, por është kthyer në Roskovec, duke kërkuar me ngulm hetimin dhe zbardhjen sa më shpejt të vrasësve dhe motiveve të ekzekutimit. Late Faria, kunati i viktimës Xhindi, deklaroi se tashmë çështjen ia kanë lënë në dorë Partisë Socialiste, për të cilën Fatmiri ka dhënë shumë vite të jetës e punës së tij. "Ne ia kemi lënë në dorë këtë çështje Partisë Socialiste dhe kemi besim se e vërteta do të dalë në shesh", u shpreh ai në prani të deputetëve që kishin mbërritur për vizitë në familjen Xhindi. Faria i ka kërkuar shtetit shqiptar, ashtu si dhe familjarët e tjerë të deputetit të ekzekutuar mbrëmjen e 2 majit, që të hidhet dritë mbi vrasësit dhe për të gjithë ngjarjen e motivet që i shtynë ata për t'i marrë jetën Xhindit. "Presim nga shteti të zbardhë krimin. Nëse nuk e bën këtë, do të mendojmë se shteti ka pasur gisht në vrasjen e Fatmirit", u shpreh Faria. Ai ka mbërritur ditën e djeshme pranë familjes Xhindi, për t'i qëndruar në krah motrës dhe nipërve të tij të mbetur jetimë. Ndërkohë që në shtëpinë e ish-deputetit socialist hynin e dilnin të afërm e pushtetarë vendorë e nga Tirana për ngushëllime, Late Faria u shpreh me tone të larta për gjetjen e autorëve.
Jo vetëm kaq, por Faria ka kërkuar nxitimin e hetimeve, pasi me kalimin e ditëve humbasin shenjat, që autori i kësaj vepre penale mund të ketë lënë në zonën e Roskovecit. Në të njëjtën kohë familjarë të deputetit të vrarë i kanë mëshuar idesë se autori duhet vendosur në pranga sa më parë, pasi në të kundërt gjetja e tij do të jetë tepër e vështirë. Megjithatë kanë pohuar se autoritetet janë angazhuar konsiderueshëm dhe shpresojnë që shpejt të kapen ekzekutorët. Familjarë të Fatmir Xhindit, kryesisht vëllezërit e gruaja e tij janë marrë shpesh në pyetje nga grupi hetimor i ngritur menjëherë pas vrasjes së ndodhur të shtunën e kaluar. Mësohet se ata janë shprehur në çdo rast se nuk kanë pasur konflikte pronësie apo probleme të tjera familjare, duke u shprehur gjithmonë se motivi i vrasjes është politik. Këto akuza dhe kërkesën për zbardhjen e krimit ata ia kanë drejtuar dhe grupit të deputetëve socialistë, të mbërritur dje në qytetin e Roskovecit për të ngushëlluar familjen e Fatmir Xhindit. Mes deputetëve ishte Valentina Leskaj, Rajmonda Stefa, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Ylli Bufi, etj. Ata kanë shprehur nga ana e tyre se do të kërkojnë nga organet hetimore të zbardhin sa më parë vrasjen e kolegut të tyre. Deputeti Bufi u shpreh se çdo ditë mbajnë kontakte me grupin hetimor për të marrë informacion mbi hetimet e kryera. Vetë deputetët i kanë premtuar familjes së Xhindit mbështetje të plotë në këtë çështje, duke thënë se ata do t'i qëndrojnë pranë në çdo moment në këtë periudhë të vështirë që ata po kalojnë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë shprehur se humbja e Fatmir Xhindit është një humbje e madhe edhe për familjen e tij të dytë, Parlamentin shqiptar.
Gjatë vizitës në familjen e Fatmir Xhindit
Leskaj: Drejtësia duhet të vihet në vend
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ishte dje në krye të deputetëve që shkuan në familjen e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi. Grupi parlamentar i socialistëve theksoi se një humbje e tillë i ka hidhëruar të gjithë, pasi Xhindi përfaqësonte një deputet të denjë të parlamentit shqiptar. Leskaj kërkoi angazhimin e plotë të strukturave shtetërore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë brenda një kohe të shkurtër, për të vendosur në këtë mënyrë përpara drejtësisë autorin e këtij veprimi që tronditi të gjithë vendin. “Ne sot jemi të gjithë këtu, si kolegë të Fatmirit për të ngushëlluar familjen e të afërmit e tij. Kemi ardhur për të shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e tij, por njëkohësisht gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë. Ne do të jemi gjithmonë këtu, do të jemi me ta dhe me të gjithë komunitetin e Roskovecit, i cili është dëshpëruar pas kësaj humbjeje. Kërkojmë edhe një herë që shteti të veprojë me gjithë intensitetin dhe me të gjitha instrumentet për të zbardhur të vërtetën. Drejtësia duhet të vihet në vend”, u shpreh Leskaj. m.r
Analiza e përgjithshme e hetimit, pa pistë dhe pa autor për atentatin
TIRANE - Për herë të dytë dje Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama shkoi në qytetin e Fierit, ku mori kontakt direkt me grupin e hetimit të ngritur për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Burime zyrtare të Prokurorisë, thanë dje se në prani të kryeprokurores, thuajse të gjithë anëtarët e grupit të hetimit kanë zhvilluar dje rreth orës 15:00 një mbledhje-analizë, e cila ka zgjatur mëse dy orë. Megjithatë, përkundër angazhimit në dukje maksimal të policisë dhe Prokurorisë në hetimin e ngjarjes, përpjekjet për të gjetur autorin e atentatit duket se janë në terr. Nga burime brenda takimit të djeshëm të mbajtur në Fier, mësohet se janë diskutuar dy pista kryesore në lidhje me vrasjen e 49-vjeçarit Xhindi. Grupi i hetimit ka paraqitur të dhënat e mbledhura në këto gjashtë ditë për secilën nga pistat. Megjithatë sipas burimeve nga hetimi, është vlerësuar se mungojnë provat e mjaftueshme për të përqendruar punën në një pistë konkrete. Në orët e paradites së djeshme, pasi doli nga një aktivitet në Tiranë, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama foli për herë të parë pas gjashtë ditësh, lidhur me atentatin ku u vra deputeti i Partisë Socialiste. “Po punohet fort, me përkushtim maksimal për të zbardhur ngjarjen”, tha Kryeprokurorja, e cila në mënyrë të prerë refuzoi të bëjë komente të tjera apo të deklarojë ndonjë pistë hetimi për ngjarjen e rëndë.
Dy prokurorëve të Krimeve të Rënda që po qëndrojnë në Fier prej tri ditësh iu bashkua dje edhe zv/drejtuesi i Krimeve të Rënda. Hetuesit kanë vazhduar edhe ditën e djeshme me shoqërime personash që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Prokurorët kanë analizuar edhe informacionet që vijnë në rrugë operative nga agjentët e policisë dhe të Shërbimit Informativ. Nga këto të dhëna është mësuar se natën kur ndodhi vrasja e deputetit Xhindi, dy persona janë larguar nga banesat e tyre në fshatin ku viktima kishte disa ullishte në pronësi të tij. Ditën e ngjarjes, deputeti Xhindi ka qenë pikërisht në fshatin Kurjan, në pronat e tij ndërsa në orët e mbrëmjes është kthyer në Roskovec, kur teksa po hynte në banesën e tij u qëllua me breshëri Kallashnikovi. Nga dy personat e arratisur që atë natë nga fshati Kurjan, policia ka dyshime të forta për njërin prej tyre. Ky person, i moshës rreth 30 vjeç, sipas policisë njihet për precedentë penale dhe tendencën e tij në veprimtari kriminale. Megjithatë, policia tha se arratisja e këtij personi mund të ketë lidhje me ngjarjen e deputetit ose me precedentët e mëparshëm të problemeve që ai kishte me drejtësinë. tr.so
Shoqërohen dhe 15 vetë në polici
Numrit të së shoqëruarve iu shtuan edhe 15 persona të tjerë dje në komisariatin e Fierit. Grupi i hetimit i mori ata në pyetje në lidhje me vrasjen më 2 maj të deputetit Fatmir Xhindi. Ata iu përgjigjën hetuesve gjithçka që dinin rreth deputetit Xhindi si dhe konflikteve të mundshme të tij në qytet. Burimet nuk bëjnë të ditur detaje të tjera rreth shoqërimit të këtyre personave për efekt të çështjes mjaft delikate që po hetohet intensivisht nga prokuroria e krimeve të rënda, por edhe vetë policia e cila gjithsesi tashmë ka kaluar në rol sekondar. Policia e Fierit nuk bëri të ditur as dje pistat në të cilat janë përqendruar në hetimet e tyre. Ata kryejnë kontrolle të imtësishme jo vetëm në Roskovec apo në fshatin Kurjan, por në gjithë zonën janë instaluar forta të shumta, diku në formën e postblloqeve, e diku tjetër të agjentëve të cilët mbledhin të dhëna rreth kësaj ngjarjeje për t'u vlerësuar më pas nga grupi i hetimit. Ngjarja vijon të jetë sërish kryefjala e ditës jo vetëm në Roskovec, por në gjithë Fierin, ndërsa banorët pohojnë se mbahen me shpresë se ekzekutimi i deputetit do të zbardhet dhe autori do të vihet para përgjegjësisë penale. m.r