E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga në Kakavijë, cifti gjerman ndërton alibinë se nuk është pjesë e trafikut



Laureta Rryçi

Tiranë - Çifti gjerman ndërtoi dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda alibinë duke përjashtuar veten nga trafiku i drogës. Megjithatë, kjo nuk u ka lehtësuar aspak pozicionet e tyre, ndaj dhe gjykata ka dhënë për ta të njëjtën masë sigurie si edhe për tre të akuzuarit e tjerë. Me dyer të mbyllura për më shumë se një orë, gjyqtari i gatshëm është njohur me pretendimet e të dyja palëve. Burime të sigurta, pjesëmarrës në seancë pohuan se vetëm çifti Franz Kiacsek e Regina Kiacsek kanë preferuar të flasin. Sipas dëshmisë që ata kanë dhënë, pakon çifti e ka marrë me mirëbesim nga bashkëkombësi i tyre i arrestuari tjetër Daniel Englert. Ky i fundit, sipas tyre, iu kishte thënë se në pako kishte një pikturë me vlerë dhe donte që t’ua transportonin ata. Mirëpo, alibia e pikturës me 40 kilogram heroinë për momentin nuk ka rezultuar e besueshme, jo vetëm për prokurorinë, por edhe për gjykatën.
Masa e sigurisë
Pesë të dyshuarit për trafikimin e 40 kilogramë lënde narkotike heroinë, e bllokuar disa ditë më parë në Gjirokastër, nga të cilët tre shtetas gjermanë, do të mbahen të izoluar në paraburgimin e Tiranës, deri në përfundim të hetimit të hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi dje kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë së “arrestit me burg” për shtetasit Daniel Englert, Franz Kiacsek e Regina Kiacsek, me shtetësi gjermane, si dhe Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafën nga Fieri. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, shtetasit me shtetësi gjermane mbajtën qëndrim mohues ndaj akuzës së ngritur ndaj tyre nga prokuroria. Ndërsa, dy fierakët, nuk preferuan të flasin për çështjen që akuzohen.
Operacioni
Këta persona u arrestuan disa ditë më parë në operacionin "Kështjella", të organizuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, si të dyshuar për trafikimin e sasisë prej 40 kg Heroine, e cila u bllokua në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, në Gjirokastër, që lidh Shqipërinë me Greqinë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmuan se, grupi hetimor po punon edhe në drejtim të zbulimit të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në këtë veprimtari ilegale. Sipas institucionit të prokurorisë, mendohet se, sasia e drogës së sekuestruar ishte destinuar për t’u tregtuar në Gjermani, duke kaluar transit nga Greqia e shtete të tjera perëndimore. Heroina e bllokuar në operacionin “Kështjella”, përbën sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe vlera e saj llogaritet në mijëra euro.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›