E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Burokracitë pengojnë disbursimin e fondeve

03/04/2009  Pjesëmarrësit në konferencën e donatorëve diskutuan mbi zgjidhjen e problemeve

Ministri i Financave: Me fondet e huaja shtuam shpenzimet publike në 32% të PBB - së

Qeveria është e aftë të thithë fonde të huaja, por ato nuk disbursohen në kohë. Problemet e krijuara nga burokracitë e shtuara, apo ngadalësimi i lëvrimit të tyre janë vënë në dukje gjatë konferencës së donatorëve nga ministri i Financave Ridvan Bode. “Falënderoj donatorët për ndihmën dhe kontributin e dhënë, jo vetëm në mbështetjen e Shqipërisë me fonde të lira me kosto të ulët e falas, por edhe në konsolidimin e praktikave të mira në përdorimin e fondeve publike në administratën publike. Megjithatë një sërë problemesh ekzistojnë në këtë bashkëpunim, probleme që lidhen me ngadalësimin e disbursimit të fondeve, burokracitë e shtuara dhe sidomos nga mosintegrimi si duhet i programeve të tyre në PBA dhe në mbështetje të SKZHI-së. Debatet në këtë takim pune do të kontribuojnë në kapërcimin ose zbutjen e kësaj problematike”, - tha ministri Bode. Sipas tij, si rezultat i rritjes së fondeve nga burimet e huaja në formën e ndihmës dhe kreditimit, shpenzimet totale publike kanë pësuar një rritje dhe përbëjnë 32 për qind të PBB -së. Ministri Bode përmendi në fjalën e tij një sërë reformash të marra nga qeveria. “Këto reforma bënë që vendi ynë të ketë barrën më të ulët fiskale për biznesin dhe në vitin 2008 u klasifikua si vendi me liritë fiskale më të mëdha në kontinentin tonë duke u vlerësuar si vend me 95/100 liri fiskale. Reformat e ndërmarra në fushën fiskale ishin njëri prej katër elementëve që në klasifikimin e Bankës Botërore “Të bësh biznes”, Shqipëria u klasifikua si vendi i dytë më reformator në botë në fushën e ekonomisë”, - tha ministri. Ai nënvizoi edhe efektin e politikave mbi rritjen e formalitetit të sektorit privat dhe zhvendosjen e tyre nga zona gri e ekonomisë. “Vetëm gjatë vitit 2008 numri i bizneseve me xhiro ekonomike mbi 8 milionë lekë është rritur me 60 për qind”, - tha Bode. Sipas tij, Shqipëria është vendi me uljet më të mëdha të nivelit të tatimeve dhe taksave, megjithatë të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur me 3.2 për qind të PBB-së ose rreth 3 miliardë dollarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›