E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në përdorim, brenda korrikut kalojnë në pronësi

03/04/2009  Qeveria u hap rrugën komisioneve të posaçme të hetojnë letrat

Brenda muajit korrik të këtij viti do të duhet që të përfundojë kalimi i tokave nga përdorim në pronësi. Kjo konfirmohet nga vendimi i marrë dy ditë më parë prej qeverisë shqiptare, e cila u hap rrugën komisioneve të verifikimit të titujve të pronësisë të ndërmarrin nismën përkatëse.

Vendimi

Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë saktëson se kalimi në pronësi i tokës në përdorim duhej të përfundonte në muajin shkurt të këtij viti. Por duke parë se vetëm dy javë më parë u arrit në një vendim mbi zbatimin e procedurave, është kërkuar që ky afat të zgjatet dhe 6 muaj të tjerë. Ndërsa komisionet vendore brenda 6 muajve duke nisur nga shkurti i këtij viti urdhërojnë komunat e bashkitë që të regjistrojnë pronat në hipotekë. Ndërsa në vendimin mbi zbatimin e këtij ligji theksohet se komisionet vendore kanë të drejtë të hetojnë dhe rastet kur një individ ankohet për mosregjistrim prone apo të kërkojë nëpërmjet këtij komisioni që të ndërmarrë nismën e hipotekimit.

Refuzimi

Megjithatë, në ligj parashikohet dhe rasti kur një familje nuk pranon të marrë në pronësi sipërfaqen që ka në përdorim. Në këtë rast komisioni do të mbajë një procesverbal të posaçëm, duke e kaluar sipërfaqen si të lirë, apo ndoshta duke lejuar dhe kalimin e saj tek ish-pronari. Për realizimin e këtij procesi komisioni i verifikimit të titujve të pronësisë do të plotësojë dokumentin e lënë në mes nga ish-komisionet e tokave, duke realizuar kështu procedurën e plotë.

Hetimi

Gjithsesi, komisioni nuk do të ketë vetëm rol për kalimin në pronësi të tokave të mbetura në përdorim. Kjo pasi prioritet do të mbetet hetimi mbi vërtetësinë e dokumenteve që janë paraqitur për të marrë një sipërfaqe apo për rregullsinë në procedurat e ndjekura për ndarjen e tokave. Në rast se komisioni do të verifikojë shkelje, atëherë do të merret masa për të hequr të drejtën mbi këtë truall, si dhe marrjen e nismave për ta kaluar në dispozicion të kthimit të pronës apo si tokë shtetërore.

Ndryshimet

Sipas ndryshimeve, komisioni i verifikimit të titujve urdhëron kryetarët e komunave dhe/ose bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore në rastet kur komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentacionin ligjor të ndarjes së tokës.

Rastet

Përfshihen rastet kur familjet bujqësore ose individët që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi për persona të tjerë.

Refuzimi

Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet në KV dhe pas verifikimit i kalohet SAMT-it të qarkut. Për çdo rast të mospranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet ose individët mbahet procesverbal për refuzim toke. Familjet që refuzojnë të pajisjen me aktin e marrjes në pronësi dhe që e përdorin apo e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›