Bode: Buxheti favorizon socalistët për zgjedhjet
08/12/2004 Krerët e PD-së kanë akuzuar socialistët se kanë paraqitur një buxhet, i cili do të përdoret vetëm për mbështetje elektorale. Duke akuzuar partinë në qeveri, Ridvan Bode tha se, "buxheti do të konfirmojë se qëllimi nuk ka të bëjë me rritjen e ekonomisë, por vetëm me konsolidimin e pozitave dhe fitimiet maksimale për të rritur bizneset e tyre, çka do të sillte kushtet e favorshme për shtetin në një vit elektoral". PD-ja e ka cilësuar edhe një herë dje paketën fiskale të miratuar një ditë më parë në parlament si një paketë që rrit presionin e administratës mbi biznesin në prag të zgjedhjeve të reja. Sekretari i Përgjithshëm me anë të një deklarate e ka konsideruar paketën fiskale të paraqitur nga qeveria dhe të miratuar me shumicë votash nga maxhoranca pa asnjë efekt pozitiv mbi ekonominë e vendit, madje, sipas tij, ka dhe rritje të pajustifikuar taksash. "Një biznes që shkon deri në masën 30 milionë lekë të reja do të paguajë 90 mijë lekë të reja taksë më shumë në krahasim me një vit më parë. Rritja e kësaj takse mbi pjesën dërrmuese të bizneseve, që janë mbijetesë, bëhet njëkohësisht me impakt ekonomik mbi biznesin e vogël siç është dhe ai i energjisë elektrike dhe vendosja e një tatimi mbi të ardhurat personale që realizojnë individë apo biznese të këtyre niveleve", tha Bode. Sipas PD-së, projektbuxheti i paraqitur nga qeveria rrit koston e jetesës së qytetarëve me 10 për qind më shumë se një vit më parë, duke i detyruar këta të fundit të paguajnë një tatim mbi të ardhurat që disponojnë.