E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Tryeza e së shtunës të vendosë ndryshimet

08/12/2004  Presidenti i Partisë Alenaca Demokratike, Neritan Ceka, ka qenë më kritik se aleatët e tjerë të "Koalicionit për Integrim" kundrejt Partisë Socialiste. Ai ka theksuar se, "nëse tryeza e së shtunës nuk realizon ndryshimet e kërkuara nga aleatët në kabinet, atëherë do të votojmë kundër projektbuxhetit të shtetit për vitin 2005". Dy ditë më parë aleancisti ka votuar kundër paketës fiskale, duke deklaruar se, nëse në tryzën e së shtunës PS-ja nuk plotëson kërkesat për ndryshim në kabinetin qeveritar, edhe projektbuxheti do të votohet kundër. "Aleatët paguan koston e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe shikohen me indiferencë, dhe qëndrimi ynë do të jetë një përgjigje e kësaj indiference", tha Ceka. Sipas tij, "një qeveri serioze duhet të ketë një shumicë të fiksuar në parlament, të cilën PS nuk mund ta sigurojë e vetme. Në Kuvend, PS ka 66 deputetë, por po të ketë edhe 10 deputetë do të ketë një shumicë të qëndrueshme. S’mund të numërohen me gishta në tabelë se kush deputetë janë dhe kush nuk janë". Kreu i PAD-së shprehet se PS-ja nuk duhet të bëjë me votat e aleatëve pazare dhe favore, ai tha se "nuk kemi qenë kurrë të lumtur për afeksionin ndaj koalicionit, pavarësisht kontributit tonë". PAD-ja, sipas Presidentit të saj, po përgatitet që të dalë e vetme në 100 zonat zgjedhore për votimet që pritet të zhvillohen në qershor të vitit 2005. “Kemi shanset për të marrë pjesën më të madhe të vendeve qoftë me sistemi mazhoritar dhe atë proporcional në qoftë se nuk do të luftojmë njëri-tjetrin, duke përfshirë këtu edhe LSI", tha Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›