Pak: Politikanët shqiptarë, s´janë shkëputur nga Enver Hoxha
08/12/2004 Komisionerja e Bashkimit Evropian, Doris Pak, tha dje se politikanët shqiptarë nuk janë shkëputur ende nga epoka dhe mentalitetet e diktatorit Enver Hoxha. Sipas saj, situata në Shqipëri është kritike nga vetë fakti se politikanët nuk debatojnë për të mirën dhe zhvillimin e vendit, por vetëm për veten e tyre dhe secili do të ketë më shumë pushtet. "Ata luftojnë si dy elefantë, por jo për vendin, por për veten e tyre", është shprehur Pak në një takim të zhvilluar në Burksel me "Miqtë e Evropës". Sipas Pak, kjo është arsyeja pse nuk ka shpresa që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke bërë një krahasim me Kosovën, ajo tha se "atje u zhvilluan zgjedhje të ndershme, sepse politika mendonte për integrimin, ndërsa në Shqipëri zgjedhjet do të kthehen në një luftë se kush do të marrë më shumë vota". Në këtë mënyrë, dhe një herë europarlamentarët theksojnë hapat e ngadaltë që ka hedhur Shqipëria në kuadrin e integrimit. Kurse mënyra e menaxhimit të zgjedhjeve në tërësi, si dhe zhvillimi i votimeve të lira dhe të ndershme, do të jetë çështja më e prekshme për Bashkimin Evropian. Madje, është vendosur që vetëm ky proces do t'i hapë rrugën nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, kryekomisioneri Rienhard Priebe ka tërhequr vëmendjen se qeveritë e Ballkanit nuk e përqendrojnë vëmendjen e tyre në reformat e përcaktuara nga BE-ja, por në debatet e tyre të brendshme.