E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria i ul pagat “të pavarurve”

08/12/2004  Paratë që qeveria ka parashikuar për institucionet e pavarura, nuk mjaftojë për të përmbushur buxhetin e pagave. Fondet për këto institucione ishin objekti i debateve në Byronë Parlamentare, ku ka filluar dhe diskutimi i Buxhetit 2005. “Të pavarurit” e shtetit, që, sipas ministrit Malaj, janë mësuar të paguhen mire, kanë kundërshtuar buxhetet përkatëse, duke deklaruar se nuk janë dakord me shumën e vënë në dispozicion dhe numrin e punonjësve të përcaktuar nga qeveria. Ministria e Financave ka parashikuar një fond prej 2-2.5 miliardë lekësh për pagat e të gjitha institucioneve të pavarura, por që duket se nuk mjaftojnë, edhe pse është shkurtuar ndjeshëm numri i punonjësve në të gjitha institucionet. “Ky buxhet cënon pavarësinë e institucioneve të pavaruara dhe redukton numrin e punonjësve”, ka deklaruar përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përballë kundërshtimit të hapur të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, zv.ministrja e Financave, Berberi, ka kërkuar që dialogu të mbetet i hapur, deri sa të gjendet një emërues i përbashkët. “Ne i jemi përmbajtur një konturi të përgjithshëm të buxhetit, që përfshin nevojat racionale, por në rast se ju keni pretendime konkrete, atëherë ne mund të diskutojmë për të parë se sa kemi mundësi të tolerojmë”, ka deklaruar Berberi. Ministria e Financave ka akuzuar institucionet juridikisht të pavarura, se me fondet e ekzagjeruara të pagave kanë “kontribuar” në rëndimin e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit. Aktualisht, vlera e buxhetit të institucioneve të pavarura, konsiderohet të jetë e lartë dhe zë 22.5 për qind të totalit të buxhetit. Por, nga ana tjetër, institucionet e pavarura kanë bërë të qartë me qëndrimin e tyre, se buxheti duhet të ketë më shumë konsideratë për ta dhe duhet t’u jepet e drejta për të përcaktuar vetë numrin e punonjësve. “Ne kërkojmë që të përcaktojmë vetë numrin e punonjësve dhe jo nga buxheti”, ka deklaruar përfaqësuesi i Prokurorisë. Këtij institucioni i janë hequr nga buxheti i ri 60 punonjës, duke kërcënuar aktivitetin e institucionit. Diskutimi i fondit të pagave ka hapur dhe debatin në lidhje me përcaktimin e pagave nga institucionet apo nga qeveria. “Ne pagat nuk i përcaktojmë vetë, por i kemi të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”, ka thënë shefja e financës së Prokurorisë. Sipas përfaqësuesve të Institucionit të Prokurorisë, detyrat e specialistëve shpeshherë kanë tarifa më të larta se vetë dëmi që mund të sjellë një ngjarje dhe, e gjitha kjo është e faturuar në koston e punës së Prokurorisë. “Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka fare faturë financiare dhe për ata punonjës nuk është planifikuar asnjë lek për fondin e pagave”, ka kujtuar gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i Prokurorisë. Ndërkaq, pretendimi për fondin e pagave dhe për shumat e vëna në dispozion kanë pasur dhe institucionet e tjera dhe duket se ky problem do të marrë zgjidhje përfundimtare në miratimin e Buxhetit në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›