E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ngrihet komisioni i ekspertëve për pronat

08/12/2004  Qeveria greke nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv për të ngritur grupet e punës për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, të mbetura pezull mes të dy shteteve. Burimet kanë bërë të ditur se i vetmi reagim pozitiv është deklarata e Kryeministrit të Greqisë, Karamanlis, më 5 maj të vitit 2004. Ndërsa që prej asaj kohe vetëm qeveria shqiptare ka qenë pala e vetme që ka kërkuar me insistim ngritjen e grupeve të punës në nivel ekspertësh. Situata është ashpërsuar më tepër kur Presidenti i Greqisë, Stefanopulos, ka deklaruar, në një takim të zhvilluar në Tiranë, se nuk ka një çështje çame dhe se marrëdhëniet duhet të shikojnë nga e ardhmja, dhe jo nga e shkuara. Nga ana tjetër mësohet se janë zhvilluar dhe disa takime mes palëve, por jo të organizuara për një çështje të posaçme. Në to, pala shqiptare ka kërkuar që të hiqet regjimi i vizava për popullsinë çame, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të kërkojnë të drejtat e tyre si dhe të kenë mundësinë që të shikojnë vendlindjen e tyre.

Ideja

Ideja e grupeve të punës është hedhur nga Kryeministri i Shqipërisë, rreth një vit më parë. Kjo ide ka qenë një nga shkaqet kryesore pse socialistët nuk kanë pranuar të miratojnë në Kuvend rezolutën për çështjen çame. Sipas kësaj formule, komisionet do të përbëhen nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, historianë si dhe personalitete në fushën e topografisë etj. Komisionet duhet të punojnë mbi kërkesat e palëve respektive. Në përbërje të komisioneve është përcaktuar të mos ketë përfaqësues politik. Ndërsa është thënë se në Greqi nuk kanë prona vetëm çamët, por dhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve. Një punë voluminoze do të zhvillohej dhe për pretendimet e pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri. Në këtë rast është theksuar se minoriteti grek, për të cilin thuhej se nuk ka pasur në pronësi hapësira të mëdha tokash, ka përfituar nga ligji 7501 mbi ndarjen e tokës në Shqipëri. Nga ligjet e pas vitit 1992, minoritetet janë trajtuar me të njëjtat kritere si dhe shqiptarët. Në këtë mënyrë dhe e drejta e pronësisë për ta thuajse është vendosur. Palët kanë theksuar në atë kohë se janë ekspertët, ata që vendosin për rregullimin e të drejtës së pronësisë.

Reagimi

Por dhe për këto çështje pala greke nuk ka preferuar që të kthejë përgjigje zyrtare, duke e lënë gjithçka pezull. E njëjta situatë është krijuar dhe për sa i përket ligjit të shumëpërfolur të luftës. Duket se deklarata e Kryeministrit grek është thënë vetëm për të kaluar situatën, ndërsa nuk është plotësuar premtimi për nisjen nga puna të ekspertëve përkatës. Për këtë duket se gjithçka do t'i lihet në dorë kufizimeve që janë vendosur në ligjin grek për pronat çame.

prononcimet

Moisiu

Ne mendojmë, sikurse kanë rënë dakord kryeministrat, të fillojnë sa më parë negociatat dypalëshe në nivel ekspertësh, për t'i dhënë zgjidhjen e drejtë juridike problemit të pronave të popullsisë çame dhe të shqiptarëve në Greqi, si dhe të atyre grekë në Shqipëri. Ramë dakord që këto probleme të shkojnë drejt zgjidhjes së tyre.

Stefanopulos

Lidhur me çështjen e pronave të çamëve, Presidenti Stefanopulos tha se ky problem nuk ekziston. “Nuk e di nëse ekziston nevoja e zgjidhjes së problemit çam; unë personalisht këtë problem e konsideroj të mbyllur dhe nuk ekziston më, ndaj dhe s’ka nevojë më të zgjidhet”. Presidenti grek tha se marrëdhëniet duhet të shikojnë nga e ardhmja.

Nano

Për çështjen çame në takimin me Karamanlis, Nano tha: "Nisur nga sensibilitetet shprehëm vullnetin politik për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull nga e shkuara historike si çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe atyre grekë në Shqipëri. Do të fillojnë konsultimet e ekspertëve për implementimin e detyrimeve të Traktatit të Fqinjësisë së mirë.

Karamanlis

Menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Nano, zyra e shtypit e Kryeministrit grek ka theksuar në një njoftim për shtyp se në bisedime nuk është prekur çështja çame në veçanti, por është diskutuar mbi të drejtat e pronave të shtetasve respektivë. Pra, pronat e shqiptarëve në Greqi dhe për pronat e minoritetit grek në Shqipëri.

Kuvendi

Në pranverë të vitit 2004, Kuvendi i Shqipërisë ka debatuar mbi miratimin e një rezolute që kërkonte angazhimin e organizmave ndërkombëtarë dhe të qeverisë greke për zgjidhjen e çështjes së pronave çame. Me shumicë votash në atë kohë u vendos që rezoluta të mos miratohej, pasi Kryeministri kishte marrë garancinë për ngritjen e dy grupeve të punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›