E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Do falen gjobat dhe kamatëvonesat e biznesit

Qeveria ka vendosur që t’i falë borxhet e kamatëvonesave atyre bizneseve që kanë vite që nuk i kanë paguar. 

Fabiola Çela

Por, nga ky lehtësim fiskal do të përfitojnë vetëm ato biznese që paguajnë principalin brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e draftit të Ministrisë së Financave. Në një deklaratë për mediat, kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, përveç faljeve të këtyre detyrimeve ka hedhur idenë e legalizimit të aseteve të këtyre kompanive, një kërkesë kjo e bërë edhe nga komuniteti i biznesit. Në deklaratën e tij të djeshme, ministri i Financave është treguar i prerë se nuk do të ketë ulje të akcizës, kërkesë kjo e bërë nga importuesit e karburanteve.
Borxhet
Ekspertët e Ministrisë së Financave po hartojnë draftin për amnistinë fiskale për biznesin. Ky draft parashikon që përveç faljes së gjobave, do të ketë lehtësira edhe për ato biznese që i paguajnë detyrimet e tyre brenda tre muajve, që nga momenti kur do të hyjë në fuqi drafti. Ministri i Financave, Bode, ka hedhur dritë mbi detajet e këtij drafti. “Do hiqen gjobat dhe kamatëvonesat dhe do paguhet principali. Por gjobat janë progresive për shkak të sistemit. Pra, po të marrësh në këtë 40 miliardë lekë se sa është principali dhe sa janë gjobat dhe detyrimet e tjera, i bie që ¼ është principali dhe ¾ janë rritja progresive vit për vit e gjobave. Pikërisht kjo pjesë do të falet”, ka shpjeguar dje ministri Bode. Sipas tij, pjesa më e madhe e borxhit i përket administratës tatimore dhe më pak asaj doganore. Sipas tij, në total detyrimi i doganave është 5–7 miliardë lekë dhe do të falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat. Kurse pjesa tjetër e borxhit i përket administratës tatimore. Por, sipas kreut të Financave, është e domosdoshme që në një kohë të dytë të kryhen edhe legalizimi i aseteve të këtyre kompanive. “Është e nevojshme për t’u bërë legjitimimi i një sërë asetesh të kompanive. Kjo është e drejtë e biznesit për ta dhe në detyrimin e politikës për të reflektuar dhe për ta çliruar edhe këtë pjesë të kapitalit që vazhdon të mbetet ende i padeklaruar”, ka thënë ai.
Taksat
Edhe pse çmimi i karburanteve ka marrë tatëpjetën, qeveria nuk ka në plan që t’u lehtësojë barrën fiskale importuesve. Në fakt, një kërkesë e tillë është bërë edhe nga vetë importuesit, pasi sipas tyre nëse ulet akciza, atëherë rritja e çmimeve të karburanteve në bursat ndërkombëtare do të reflektohej më pak te konsumatorët. Por nuk ndan të njëjtin mendim me ta ministri i Financave, Bode. “Të mendosh që me politika fiskale në Shqipëri të ulësh çmimin e karburanteve në tregun e karburanteve në botë apo t’i bësh ballë presionit që vjen nga ky treg, është qesharake. Ne kemi akcizat që është elementi që rëndon kompanitë dhe për fat të mirë në Shqipëri akciza nuk paguhet në raport me çmimin, por me litrat”, ka theksuar ministri Bode.

Analiza e 6-mujorit

135 miliardë lekë janë të ardhurat totale në buxhetin e shtetit
124 miliardë lekë janë të ardhurat tatimore në total
96.1 miliardë lekë të ardhurat nga tatimet dhe doganat
49.7 miliardë lekë janë të ardhurat nga TVSH
14.9 miliardë lekë të ardhurat nga akcizat
5.5 miliardë lekë të ardhurat nga pushteti vendor
84 për qind realizimi i shpenzimeve kapitale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›