E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Deputetët e PS po bashkëpunojnë me Berishën

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi me qytetarët e Vlorës ka analizuar pasojat e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit në qeverisjen e vendit. 

Ai shprehu shqetësimin e tij edhe përsa i përket bashkëpunimit të ngushtë të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët sikurse i quajti Meta, janë kthyer tashmë në bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Berisha, si në natën e 21 prillit ku miratuan ndryshimet e Kushtetutës, apo edhe me konsensusin që i dhanë ata për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. “Kjo është edhe më e rëndë kur këto gjëra ndodhin në bashkëpunim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Është shumë e rëndë që edhe këtë rregullore, pasi rrëzuan pesë dekretet për Gjykatën e Lartë, na propozuan deputetë të Partisë Socialiste. Po si mund të bësh këtë rregullore, kur Kushtetuta përcakton mjaft qartë që Presidenti dekreton dhe parlamenti miraton”, u shpreh Meta. Ndërsa sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI Luan Rama, duke u shprehur optimist për rezultatet që do të arrijë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tha se me këtë ritëm që po punojnë strukturat e LSI-së sot dhe me këto prurje të reja, sfida që na pret në të ardhmen është e fituar. Po dje Meta ka marrë pjesë në forumin e grave të LSI të njësive bashkiake të kryeqytetit. “Ridimensionimi i pozitës sociale, politike dhe ekonomike i gruas dhe vajzës shqiptare, janë sfidë për dimensionin evropian të vendit dhe shoqërisë sonë”, u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›