E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Do kërkoj ndihmën e ndërkombëtarëve për borxhet

Qeveria shqiptare do të fillojë të kërkojë kredi më të lira në pranverën e ardhshme në tregun ndërkombëtar për të rifinancuar një sasi borxhi tejet të shtrenjtë që mori këtë vit, ndërkohë që kredimarrja e huaj shihet edhe si një mënyrë për të financuar deficitin buxhetor të programuar për vitin e ardhshëm.

"Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë", tha ministri i Financave, Ridvan Bode, dje në Parlament kur po prezantonte buxhetin e vitit të ardhshëm.

"Ministria e Financave ka nisur negociatat me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve dhe Bankën Botërore që projektet madhore të infrastrukturës të mund të udhëhiqen nga këta donatorë", u shpreh Bode, pa përmendur Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Deficiti 2010

Qeveria ka parashikuar një deficit prej 50 miliardë lekësh (378 milionë euro ose 540 milionë dollarë) për vitin e ardhshëm, që do të financohet përmes marrjes së borxheve, por në kushtet aktuale të tregut financiar në Shqipëri, emetimi i një sasie të tillë borxhi ngjan një operacion i vështirë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pothuajse 100 për qind e depozitave të shqiptarëve nëpër banka janë përdorur për të kredituar qeverinë apo biznesin, gjë që e bën të vështirë për sistemin bankar të blejë borxh të ri. Për këtë arsye, qeveria po mendon për të dalë në tregun ndërkombëtar për kredi në euro.

Riskedulimi

Qeveria tërhoqi një kredi prej rreth 200 milionë eurosh me interesin stratosferik prej euribor plus 9.65 për qind. Kredia maturohet në vitin 2012, por qeveria ka shpresuar se tregu financiar ndërkombëtar do të stabilizohet dhe Shqipëria do të ketë mundësi ta zëvendësojë këtë kredi me eurobonde më të lira. Por Banka e Shqipërisë e ka paralajmëruar më herët qeverinë për nevojën për një plan rezervë për shlyerjen e kësaj kredie, plan që duhet të përdoret në rast se emetimi i eurobondeve vitin e ardhshëm do të dështojë. Interesat që qeveria paguan për borxhin publik pritet të fluturojnë në 43.6 miliardë lekë, (330 milionë euro ose 473 milionë dollarë) për vitin 2010, një rritje me 20 për qind në krahasim me këtë vit. Interesat e borxhit të jashtëm pritet të rriten me 46 për qind veçanërisht për shkak të kredisë sindikale të tërhequr para zgjedhjeve të këtij viti.

Borxhi në rritje

Sipas relacionit të buxhetit të vitit 2010 që qeveria dorëzoi gjatë ditëve të fundit në Parlament, borxhi total publik i Shqipërisë pritet të rritet me 76.3 miliardë lekë, (565 milionë euro) gjatë vitit të ardhshëm. Borxhi total i brendshëm dhe i jashtëm i vendit do të rritet në 702 miliardë lekë. Një pjesë e rritjes është matematikore, për shkak se borxhi i jashtëm duket më shumë për shkak të zhvlerësimit të lekut. Megjithatë, borxhi i jashtëm i llogaritur në euro ka arritur në 1.92 miliardë sipas llogarive të Ministrisë së Financave, deri në shtator të këtij viti, ose 22 për qind më shumë se në vitin 2008, kur borxhi i jashtëm qe 1.58 miliardë euro.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›