E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: E vërteta mbi tunelin e Kalimashit

Më në fund, ministri i Transporteve dhe Punëve Publike ka sqaruar në mënyrë të detajuar atë çka po ndodh në tunelin e famshëm të Rrëshen-Kalimashit. Shembjet e ditëve të fundit, informacionet e shumta dhe konfuze, përfundimi i punimeve, rreziku i kalimit janë sqaruar dje nga ministri Sokol Olldashi, i cili ka qetësuar publikun me premtimin se zgjidhja do të jetë shumë e shpejtë.

Në saj të masave emergjente të marra, në respekt të udhëzimeve të ekspertëve, galeria e veriut është siguruar në gjendje të qëndrueshme dhe ajo e jugut (ku ndodhi rrëshqitja), ka një përmirësim të ndjeshëm. Ministri ripërsëriti faktin që fenomeni gjeologjik i tunelit të Thirrës ka qenë i paparashikueshëm, por jo i panjohur për qeverinë. "Për t‘i dhënë zgjidhje problemit shumë më parë se të ndodhte rrëshqitja, kemi angazhuar ekspertët më të mirë e më të spikatur të inxhinierisë botërore, si dr. Sauer Bureau nga Austria dhe Muller & Hereth nga Gjermania", pohoi Olldashi.

Në bazë të rekomandimeve të grupit të ekspertëve, të supervizorit kroat IGH, menaxherit britanik të projektit, Roughton dhe ekspertizës së pavarur, qeveria vendosi mbylljen e tunelit një muaj përpara shembjes në galerinë jugore. "Duhet të mbajmë parasysh se zona problematike është vetëm 50 metra, në një gjatësi prej gati 12 mijë metrash që është totali i tunelit, ose e shprehur në përqindje në vetëm 0.4 për qind të tunelit", garantoi ministri.

Duke reaguar mbi pretendimet e opozitës se tuneli u hap para kohe gjatë fushatës elektorale, Olldashi tha se afati i përcaktuar për hapjen e tunelit në verën e vitit 2010, është një shtesë kontrate. Sipas tij, kontrata bazë ka qenë për në qershor të vitit 2009, por duke pasur fenomene në galerinë e jugut të paparashikueshme, (bëhej fjalë për një shtresë gjeologjike që ka defekte milionavjeçare), qeveria parashikoi një shtesë kontrate për punime suplementare për në tunelin e jugut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›