E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët që kapen me alkool dhe duhan do të nxirren nga spitali

Të gjithë pacientët që kapen duke pirë duhan apo konsumojnë alkool pranë lokaleve të spitalit ose fshehurazi gjatë kohës së trajtimit do të nxirren nga spitali. Atyre do t‘u ndërpritet mjekimi dhe do të dërgohen menjëherë në shtëpi, në shenjë "ndëshkimi". Urdhri është lëshuar dje nga Ministria e Shëndetësisë dhe vjen pas denoncimit të rasteve të disa pacientëve, të cilët, edhe pse janë të shtruar në spital dhe trajtohen me medikamente, përfitojnë nga vizitat e të afërmve për të tymosur një cigare apo për të kthyer ndonjë gotë.

Askush nuk do të lejohet më të kryejë rituale të tilla gjatë kohës së qëndrimit në spital. "Pacientët që do të kapen duke pirë duhan dhe alkool teksa kurohen në spital do t‘u ndërpritet mjekimi dhe do të nxirren nga spitali". Ky është urdhri më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili kërkon të ndalojë duhanpirjen dhe alkoolin në ambientet publike, duke bërë kështu edhe më efikase zbatimin e ligjit kundër duhanit.

Përveç këtyre detyrimeve, për të cilat s‘do të ketë tolerancë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i ka garantuar pacientët se do t‘u respektohen të drejtat e tyre, tashmë të fiksuara dhe nga ana ligjore. Këto deklarata, ministri i bëri dje në një tryezë me ekspertë të shëndetësisë, të cilët kanë diskutuar në lidhje me kartën e pacientit. Në këtë kartë përfshihen të gjitha të drejtat që gëzon pacienti në raport me përfitimin e kujdesit shëndetësor në vend. Ministri Vasili u shpreh dje se tashmë ka ardhur koha që të drejtave të pacientit t‘u jepet një dimension i ri i mbështetur në baza ligjore. Vasili theksoi se në Shqipërinë që po ndryshon e që synon t‘i afrohet edhe më shumë standardeve europiane duhet të rregullohen raportet mes dhënësve të shërbimeve shëndetësore dhe përfituesve të tyre.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›