E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja krijon borde qytetare nëpër rrethe

PS-ja ngriti dje në Elbasan Bordin e Dialogut me Shoqërinë duke vazhduar nismën për krijimin e këtyre bordeve qytetare nëpër rrethe. Nuk dihet nëse këto struktura do të mbivendosen mbi ato partiake, por dihet se në to do të ketë pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe jo nga PS-ja. Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se Bordi i Dialogut me Shoqërinë është një strukturë tërësisht e re, jo vetëm për Partinë Socialiste, por është tërësisht e re për politikën shqiptare. “Është një strukturë që u njeh të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë partie, të drejtën dhe mundësinë për të kontribuar, duke u organizuar së bashku, në funksion të promovimit të ideve të tyre dhe njëkohësisht të mbështetjes së një projekti politik që i integron këto ide”, - tha ai. Më tej, kreu i PS-së vuri në dukje se politika në Shqipëri nuk ka magnet për t’i tërhequr qytetaret dhe qytetarët, por përkundrazi, ka të gjitha ato cilësi të këqija, që mjaftojnë për t’i qëndruar asaj larg. “Nga ana tjetër, duke i qëndruar asaj larg, jemi viktima të saj, pasi në fund të fundit, çdo gjë që ka të bëjë me jetën tonë ekonomike dhe shoqërore, shkon e lidhet tek cilësia e politikës. Një politikë e keqe nuk mund të prodhojë një cilësi të mirë në jetë dhe këtu nuk kam parasysh ndarjet brenda politikës së keqe, por atë në tërësi”, - tha Rama.

Meta: Situata në vend, shqetësuese

Lideri i LSI-së, z.Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në zonën e Petrelës. Gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së, z.Ilir Meta, u shpreh se aktualisht vendi po kalon një gjendje mjaft të vështirë. “Është vërtet shumë shqetësuese dhe kritike kjo gjendje sociale dhe ekonomike sot në vend, sepse ne e shohim se si rriten përditë çmimet e të gjitha produkteve dhe sidomos të lëndëve të para dhe kjo nuk është një rritje që siç justifikohet qeveria ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar”, - deklaroi Meta. “Përkundrazi, - shtoi ai, - kjo ka ardhur për shkak të politikave të gabuara të qeverisë aktuale për shkak të korrupsionit në rritje të kësaj qeverie që erdhi në pushtet me flamurin e luftës kundër korrupsionit, sepse po të shikojmë çmimet e shumë produkteve apo lëndëve të para në Kosovë apo Maqedoni janë 40-60% më të lira. Ne kemi të bëjmë me një qeveri pa vizion, - tha Meta, - kemi të bëjmë me një qeveri ta mashtrimeve të papara dhe me një qeveri të kapur në flagrancë nga korrupsioni”. Në këtë takim, kreu i LSI-së shoqërohej nga sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, prof. Edmond Panariti, si dhe nga sekretari i përgjithshëm i LSI-ë së Tiranës, z.Elez Gjoza.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›