Bode: E kemi vendosur, do rrisim pagat e pensionet
Fabiola Çela
Edhe pse FMN-ja rekomandoi që pagat e pensionet të mos rriten, qeveria më datë 1 korrik ka vendosur të bëjë të kundërtën. Ministri i Financave konfirmoi dje në Kuvend lajmin që sigurisht, ndryshe nga Fondi, do të gëzojë disi buxhetorët dhe pensionistët. Ky pritet të jetë vendimi i parë i qeverisë shqiptare pas daljes nga tutela e FMN-së. Ndoshta një shembull jo i mirë i qeverisë, që do të shfrytëzojë menjëherë “pavarësinë” nga FMN-ja me një vendim kundër këshillave të kësaj të fundit.
Rritja
Rritja e pagave dhe pensioneve, ndryshe nga çfarë është thënë deri tani, do të jetë më e lartë se sa norma e inflacionit. Bode në debatin e djeshëm në Kuvend theksoi i bindur se në 1 korrik do të merret vendimi për rritjen. “Qeveria ka deklaruar se do të rrisë pagat dhe pensionet me ritme më të larta. Për katër vjet do të dyfishojmë pensionet dhe pagat e ulëta. Më 1 korrik do të kemi rritje që do të jetë shumë më tepër se sa inflacioni. Ne vazhdojmë të jemi në mbështetje të konsumatorit”. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, parashikohet që pagat të rriten nga 5 deri në 20 për qind. Sërish shtresat më të privilegjuara do të jenë mjekët dhe arsimtarët. Parashikohet që pagat e tyre të rriten deri në 20 për qind. Pagat e buxhetorëve të tjera do të rriten në varësi të madhësisë. Pra, sa më e ulët të jetë paga, aq më shumë vlerë në përqindje do të përfitojë nga rritja. Kjo pasi, sipas financave, pagat e ulëta e ndjejnë më shumë inflacionin. Parashikohet që pagat e buxhetorëve të rriten deri në 10 për qind. E njëjta politikë do të funksionojë edhe me pensionet. Rritja e tyre do të jetë e njëjtë me vjet, duke garantuar më shumë shtesa për pensionet e ulëta dhe më pak për ato të larta. Mendohet që rritja të jetë 10 për qind në total për të gjithë pensionet.
Kriza dhe FMN
FMN, para dy ditësh, mbylli misionin e saj të fundit këshillues për qeverinë shqiptare. Tani, vendimet e qeverisë nuk do të jenë nën presionin e FMN-së. Por shefi i misionit këshilloi para dy ditësh që të mos ketë rritje pagash. Sipas tij, rritja e pagave do të sillte rritjen e kërkesës dhe, si rrjedhojë, do të ndikonte në rritjen e mëtejshme të inflacionit. Pra një efekt negativ, ku edhe pse buxhetorët do të kenë më shumë para në duar, çmimet do të rriten sërish dhe në fund ata do të blejnë më pak produkte dhe shërbime. Por kjo këshillë është kundërshtuar nga Bode. Ai përdori dje në Kuvend, si argument, presionet më të vogla ndaj Shqipërisë që po ushtrohen nga kriza botërore e çmimeve. Sipas tij, edhe pse ka një krizë globale, vendi ngelet më pak i prekur nga rritja e çmimeve. Ai iu referua normës së inflacionit, e cila është “dukshëm më e ulët se në vendet e tjera”. Kjo është arsyeja që Bode përdor për të mbështetur idenë e rritjes së pagave. Sipas tij, kjo rritje nuk do të ndikojë në inflacion, pra nuk do të ketë presione për rritjen e inflacionit, por do të mbajë të paprekur fuqinë blerëse të qytetarëve si promotorin e rritjes ekonomike në vend.
Dy herë kundër FMN
Sikur të bëhej një sondazh, padyshim që shqiptarët do të votonin kundër FMN-së. Misioni i fundit i saj kërkoi nga qeveria shqiptare që të rritej më shumë çmimi i dritave dhe të mos rriteshin pagat dhe pensionet. Dy kërkesa të refuzuara hapur nga ERE dhe qeveria. Për populizëm, qeveria ka vepruar drejt. Tani ngelet logjika ekonomike. Kjo e fundit, sipas të gjitha studimeve, i jep të drejtë FMN-së. Ekonomistët e kanë të qartë se rritja e të ardhurave, pra e kërkesës do të disbalancojë tregun. Oferta e njëjtë dhe kërkesa e lartë do të thotë rritje çmimesh. Sidoqoftë, kjo është teorike, ngelet vetëm koha të tregojë kush ka të drejtë, FMN-ja apo qeveria. Herën e fundit që kemi provuar ta sfidojmë, ka patur të drejtë FMN-ja.