Në garë për 130 milionë lekë fonde të taksapaguesve
Elbasan - Rriten kërkesat e fermerëve për t’u subvencionuar nga buxheti i shtetit në rrethin e Elbasanit. Ndërsa vitin që kaloi vetëm 300 fermerë përfituan nga skemat e këtij subvencioni, nga rreth një mijë që aplikuan, këtë vit është trefishuar numri i aplikantëve. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Elbasan, vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, numri i kërkesave ka shkuar në afërisht dy mijë persona. Burimet në fjalë sqarojnë se Elbasani edhe për këtë vit do të përfitojë mbështetje nëpërmjet subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit rreth 130 milionë lekë nga buxheti që kjo ministri ka planifikuar për të subvencionuar të gjithë ata fermerë, që do të kenë investime dhe prodhime në frutikulturë, vreshtari, ullishtë e perime në sera. Shefi i shërbimit këshillimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Neshat Sadiku, ka sqaruar se mbështetja financiare prej 130 milionë lekësh nga buxheti i shtetit do të përfshijë tetë skema subvencionuese. Sipas Sadikut, konkretisht do të mbështeten financiarisht të gjithë ata fermerë që kanë aplikuar për mbjelljen e ullirit, ku do të harxhohet edhe pjesa më e madhe e fondit, me një vlerë prej 100 milionë lekësh. Pjesa tjetër do të përfshijë skemën për drurë frutorë, vreshtari, për prodhime të produkteve BIO. Një ndër skemat subvencionuese parashikon fermerët që merren me mbarështimin e lopëve, por që kanë 10 deri 50 lopë. Prioritet financiar pritet që do të kenë edhe fermerët që merren me mbarështimin e deleve dhe ata të prodhimit të vajit të ullirit “Extra-Virgine”. Ndërkohë, skema për rimbursimin e kredive të vogla deri në 150 mijë lekë, mësohet se do të subvencionohet nga shteti deri në masën 70 për qind për ata fermerë të cilët do të aplikojnë për investime në ndërtim linjash të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Sidoqoftë, praktika e këtij subvencioni ende nuk është konkretizuar, pasi priten aplikime të reja, që mbyllet në fund të muajit prill, ku dhe nis selektimi për aplikuesit, pasi komisioni i specialistëve do verifikojnë në vend planin e investimeve nga ana e fermerëve dhe garancinë e prodhimit. Sidoqoftë, krahasuar me kërkesat “lumë” të fermerëve për këtë lloj kreditimi, jo më shumë se 20 për qind e tyre mund të fitojnë në bazë të fondit të parashikuar për subvencionim shtetëror. Por, për këtë të fundit, fermerët kërkojnë edhe për atë që ata e quajnë “skemë” të tyren, subvencionimin e prodhimeve, që nuk shiten dhe politikën mbrojtëse nga shteti përballë prodhimeve të importuara.
#