E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Ekonomia shqiptare, 5,5 % rritje në 2011

SHKRUAN: Sabina Veizaj 26-01-2011 11:58

Financat kanë programuar një rritje prej 5,5% të PBB-së të ecurisë së ekonomisë së vendit, ndërsa për 2010-ën ministri Bode u shpreh se do arrihen objektivat e deklaruara nga qeveria prej 4,1% të PBB-së

Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2011 parashikohet të jetë 5.5% e PBB-së. Ka qenë Ministri i Financave. Ridvan Bode, i cili gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme për të dhënat e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2010, deklaroi se rritja ekonomike për vitin që jemi parashikohet të jetë më e lartë se viti që shkoi, 5,5 % e PBB-së. “Dhe në programimin që kemi bërë kemi besim në ekzistencën e të gjitha mundësive financiare dhe kapitaleve që disponon ekonomia shqiptare. Pra burimet e financimit të një rritje prej 5.5 % ekzistojnë, janë tërësisht të mundshme. Edhe kur programuam vitin e kaluar rritjen prej 4.1 % të ekonomisë, shumë vetë ishin skeptikë a do ishte 1 %, 2 % apo 0 % rritja ekonomike e vendit. Ne kemi pasur besim sepse llogarisim pikërisht burimet e financimit të rritjes dhe këto burime ekzistojnë”, - u shpreh Bode. Ai gjykon në të njëjtën kohë se duhen disa kushte të tjera, për të realizuar këto burime. Duke iu referuar vitit 2010, ministri Bode raportoi se ‘sipas raportit më të fundit të drejtorisë së Përgjithshme të Financave dhe Ekonomisë në Komisionin Europian, të publikuar në janar të vitit 2011, “Ekonomia shqiptare demonstroi se mbeti tërësisht e paprekur nga presionet e krizës globale dhe me një trend tërësisht pozitiv përgjatë vitit 2010”. Bode argumentoi se zhvillimet ekonomike gjatë 2010-ës kanë pasur një rritje pozitive të lartë dhe rritje të qëndrueshme dhe me përmirësim nga tremujori në tremujor. Duke iu referuar raportit të financave për ekonominë e vendit gjatë 2010-ës, në tremujorin e parë të vitit 2010, rritja ekonomike ishte 2.5 % mbi bazë vjetore; në tremujorin e dytë 3.3 %; në tremujorin e tretë 4.9 % duke shënuar si 9 mujor një rritje ekonomike prej 3.6 % të PBB-së dhe duke mbetur sipas Bodes, ekonomia me rritjen më të lartë në rajonin tonë. Sipas tij, zhvillimet edhe në tremujorin e katërt garantojnë objektivin e shpallur nga qeveria për një rritje ekonomike të paktën 4.1 % në krahasim me vitin 2009. Rritja ekonomike, sipas analizës së Financave është mbështetur nga eksportet, të cilat si 9-mujor ishin 59 % më të larta se një vit më parë, ndërkohë që si 6-mujor ishin 73 % më të larta. Ndërsa importet, po sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kanë pasur rritje më të moderuar rreth 19 %, në krahasim me një vit më parë, duke bërë që bilanci tregtar të jetë më i përmirësuar. Ritme pozitive ka pasur edhe bilanci i pagesave, i cili në tremujorin e tretë pati një përmirësim prej 53 milionë eurosh, suficit dhe si 9-mujor një suficit prej 50 milionë euro, duke përmirësuar ndjeshëm situatën e vitit të kaluar në bilancin e pagesave të vendit. Ndërsa kursi i këmbimit, po sipas analizës së raportuar prej ministrit Bode, ka qenë stabël. Ai argumentoi stabilitetin e kursit të këmbimit me rritjen ekonomike edhe masat e marra në sferën financiare. Ndërsa inflacioni, sipas Bodes ka qenë tërësisht brenda objektivave të vendosura nga Banka e Shqipërisë me një rritje prej 3.6 % si bazë vjetore në krahasim me vitin 2009, ndërkohë që norma e inflacionit për tremujorin e katërt ka qenë rreth 3.1 % dhe dëshmon për një ulje të presioneve inflacioniste edhe në vijim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›