Bode: Pajisja me kasa fiskale do të rrisë të ardhurat
Ministri Bode ka deklaruar se, vendosja e kasave fiskale do të ndikojë në rritjen e të ardhurave. Sipas tij, ky hap përbën një masë shumë pozitive, jo vetëm për të rritur të ardhurat, por edhe për të forcuar konkurrencën e drejtë të bizneseve në treg. Bode deklaroi se, ritmi i vendosjes së pajisjeve fiskale ka arritur tashmë në 30 mijë biznese, numri i atyre që duhet të vendosin kasa është më i lartë. Ai tha se bizneset e vogla, që nga data 1 janar, duhet të kenë vendosur kasat, ndërsa administrata tatimore do të vijojë të zbatojë ligjin në zbatimin e kësaj mase, aq të domosdoshme për konkurrencën në treg në radhë të parë dhe jo aq shumë për të ardhurat, pasi dihet që biznesi i vogël jep deri në 4 % të të ardhurave. Nga ana tjetër, janë 6550 biznese të vegjël, të cilët janë gjobitur në total me 699 mln e 685 mijë lekë, për mospajisje me kasa fiskale në afatin e duhur, siç e parashikon ligji. Burime nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bëjnë me dije se, për biznesin e vogël, akoma vazhdon procesi i pajisjes me kasa fiskale, edhe pse afati zyrtar i tyre ka përfunduar. Statistikat nga tatimet, flasin për afërsisht 700 mln lekë gjoba, të vendosur bizneseve të vegjël, ndërkohë që për 1250 raste është bllokuar aktiviteti. Gjobat kanë vijuar deri në 100 000 lekë për çdo biznes, që nuk është pajisur me kasa fiskale brenda afatit ligjor. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se deri tani janë instaluar 33 mijë pajisje fiskal.