E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet padisin "ARMO"-n në prokurori

Tatimet padisin "Armo"-n. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Drejtorisë rajonale të Tatim-Taksave në Fier, Halil Lamaj, i cili ka pohuar për "Shqip" se institucioni që ai drejton ka përpiluar një padi ndaj kompanisë "Armo", e cila është depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier mesditën e së martës.

Objekt i padisë ka qenë shkelja e vendimit të bllokimit të dy uzinave. "Do ketë padi për të gjithë ata persona që kanë cenuar shenjat e bllokimit të tatimeve. E ritheksoj se do të ketë padi si për drejtuesit e kompanisë, ashtu edhe për drejtuesit e autoboteve të mbushura me bitum, që kanë prishur shenjat dalluese të vendosura për bllokimin tatimor", është shprehur Halil Lamaj.

Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë "Armo" po punojnë për të evidentuar dëmin e shkaktuar, me synimin që të ngrenë edhe ata një padi ndaj tatimeve, të cilave do t‘u kërkohet dëmshpërblim. "Në radhë të parë po ndërhyhet për të eliminuar dëmet që janë shkaktuar dhe pikërisht në ato vende të punës ku dëmet janë evidente. Po ndërhyhet për zhdëmtimin e tubacionit të bitumit në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier, ku mesditën e djeshme ka rënë edhe zjarr. Fillimisht ne po ndërhymë atje ku është shkaktuar dëmi më i madh", tha drejtori i UPN-së dhe KPTHN-së, Bledar Myftari. Në lidhje me shkeljen e vendimit të tatimeve lidhur me këto ndërhyrje që janë bërë nga drejtuesit e "Armo"-s, Myftari tha: "Është normale që gjithçka që ne kemi bërë është në kundërshtim me vendimin e tatimeve, por kjo vjen pasi dëmet që do pasonin në rast të zbatimit të urdhrit të bllokimit, do të ishin shumë herë më të larta se ato që kanë ndodhur aktualisht".

Dje në UPN janë bërë edhe matjet përfundimtare të sasisë së bitumit që ndodhej në të e që do të vijojë të transportohet drejt pikave të shitjes. Ndërkohë mësohet se hapi i radhës i drejtuesve të kompanisë për të zgjidhur këtë situatë do të jetë marrja e masave për ndalimin e punës së KPTHN-së së Ballshit.

"Po ndjekim me përpikëri hapat e posaçme, me qëllim ndaljen e rafinerisë së Ballshit dhe më pas do të shikohet mundësia e respektimit të vendimit të tatimeve. Megjithatë, problemi i parë është largimi i të gjithë sasisë së naftës bruto dhe produkteve të saj nga dy uzinat e bllokuara", ka përfunduar drejtori Bledar Myftari.

Kompania "Armo", në momentin e privatizimit i ka pasur kompanisë së naftës "Albpetrol" një borxh prej miliona dollarësh. Mësohet se në tetorin e vitit 2008, kohë kur është kryer edhe dorëzimi përfundimtar i kompanisë "Armo", kjo e fundit i kishte "Albpetrolit" një borxh prej 44 milionë dollarësh. Kjo është pranuar ditën e martën si nga drejtuesit e "Albpetrol"-it, ashtu edhe nga drejtuesit e "Armo"-s. Madje në kompaninë "Albpetrol" deklarojnë se borxhi është shtuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit dhe shpesh herë ajo ka qenë në krizë financiare për shkak të mosshlyerjes së pagesave për naftën bruto që kompania "Armo" blinte në vijimësi tek "Albpetrol"-i. Për mosshlyerjen e borxhit, drejtuesit e mëparshëm dhe ata aktualë kanë depozituar edhe nota proteste në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, si dhe në atë të Financave. Madje pranë kompanisë "Albpetrol" thonë se "Armo" është paditur për borxhin e madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›