Parkingjet, LSI: Tiranës i shtohet betoni
ADI SHKEMBI
Ndërtimi i dy parkingjeve nëntokësore në kryeqytet do shtojë sipërfaqet e betonit dhe hekurit, ndërkohë që Tiranës do t’i mungojë parku “Rinia”. Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj vendimit të fundit të qeverisë për të autorizuar Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësorë në parkun “Rinia” dhe te sheshi “Italia” përballë stadiumit “Qemal Stafa”. Duke folur në një konferencë për shtyp, sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Luan Rama tha se: “Për shkak të një politike antiqytetare, pas vendimit të fundit për ndërtimin e dy parkingjeve në parkun “Rinia” dhe përpara stadiumit “Qemal Stafa”, Tiranës mund t’i shtohen dy parkingje, që nuk janë më shumë se 500 metra larg njëri-tjetrit, por do t’i mungojë parku Rinia dhe pemët e tij, për të cilin u bënë tërë ato investime pas prishjes së kioskave, për ta rikthyer në mjedis të gjelbëruar, Tiranës do t’i shtohet betoni dhe hekuri, por nuk do t’i zgjidhen problemet e mëdha të trafikut, Tiranës do t’i shtohen dy biznese fitimprurëse për ata që kanë marrë të drejtën t’i ndërtojnë këto dy parkingje”, tha Luan Rama. Sipas tij, “do t’i shtohet edhe një hapësirë tjetër tregut të monopoleve të kontrolluara nga njerëzit me pushtet, për sa kohë mungon një plan, qoftë edhe për rrjetin e parkingjeve, dhe që të mbulojë gjithë hapësirën e qytetit të Tiranës”. Rama bëri të ditur më tej se LSI-ja mbështet nismat që janë transparente, por drejtoi edhe dy pyetje publike lidhur me mënyrën se si është marrë ky vendim. “LSI mbështet çdo nismë ligjore, institucionale, transparente dhe që çon në zgjidhje funksionale të problemeve të mëdha të trafikut në kryeqytet, por ndërkaq kërkon të dijë: Përse do të prishet parku “Rinia”, cili institucion e ka miratuar një projekt të tillë dhe përse ky projekt nuk i bëhet i njohur publikut? Cilat janë projektet e paraqitura për dy parkingjet dhe mbi ç’bazë është bërë përzgjedhja e subjekteve?”, theksoi më tej Luan Rama. Njëkohësisht sipas sekretarit për marrëdhëniet me publikun në LSI, qytetarët e Tiranës janë përjashtuar nga e drejta për të diskutuar lidhur me këtë projekt. “Eshtë në praktikën e funksionimit demokratik të qeverisjes vendore pjesëmarrja e komunitetit në vendimmarrje që lidhet me cilësinë e jetës së tyre, por qytetarët e Tiranës jo vetëm ndjehen të përjashtuar nga e drejta për të diskutuar dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes në projektet që kanë të bëjnë me qytetin ku jetojnë, por në mënyrë paradoksale gjenden përpara faktit të kryer dhe përballë vendimesh të marra në mungesë të plotë të transparencës”, përfundoi Rama.