E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca e Hekuran Isait:Fiqiretja me Mehmetin tradhtuan luftën

 

AFRIM IMAJ

Pretenca e mbajtur në gjyqin e Fiqirete Shehut, Llambi Ziçishtit, Nesti Nases e Skënder Shehut në gushtin e vitit ‘83 nga prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, është përgatitur nga Hekuran Isai! Plot 75 faqe të akuzës të ruajtura në dosjen e Fiqirete Shehut, mbajnë nënshkrimin e ministrit të Brendshëm. Më shumë se kaq, e gjithë lënda që konsumohet në të, i referohet procesit hetimor që përsëri është drejtuar nga Hekuran Isai, njeriu që u vu në krye të policisë sekrete, si i besuari i Enver Hoxhës pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ish-kreu i Sigurimit të Shtetit që mesa duket ka poseduar pushtet të jashtëzakonshëm, pasi ka hetuar në mënyrën e tij me grupin e ekspertëve të besuar, i ka çuar gjykatës jo vetëm “provat” e veprimtarisë tradhtare e agjenturore të bashkëpunëtorëve të Mehmet Shehut, por edhe verdiktin përfundimtar për dënimin e tyre. Në rastin konkret trupi gjykues, e ca më tepër kreu i akuzës Rrapi Mino, ka bërë gjënë më të lehtë duke ligjëruar në sallën e gjyqit atë çfarë i ka servirur kreu i policisë sekrete, duke ruajtur madje edhe dialektin e tij. Në pretencën e Hekuran Isait jepet një kronologji e zgjeruar e veprimtarisë armiqësore siç e cilëson ai e poliagjentit Mehmet Shehu dhe e bashkëpunëtorëve të tij. që starton qysh në vitet ‘30. Në pjesën e parë të saj përshkruhet sipas ministrit të Brendshëm, përfshirja e ish-kryeministrit dhe miqve të tij në veprimtarinë agjenturore për të sabotuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në gjyqin e gushtit të vitit ‘83 Hekuran Isai bën të ditur për herë të parë një kronologji të detajuar sipas tij, të rekrutimit të Mehmet Shehut nga zbulimet e huaja. Sipas versionit të Isait, Mehmet Shehu është rekrutuar në vitet 30 nga kuadri i njohur i zbulimit amerikan, ish-drejtor i shkollës teknike në Tiranë Harry Fulc. Në vijim është dërguar po nga zbulimet e huaja për të kryer studimet ushtarake në Itali dhe më pas në luftën e Spanjës. Më tej, në pretencën e ish-ministrit të Brendshëm bëhet e ditur veprimtaria e organizatës kundërrevolucionare sipas tij, në sabotimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare...

Aktakuzë
Kundër të pandehurve
Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu
Akuzohen se janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja të spiunazhit dhe kanë vepruar në një grup armiqësor, të kryesuar nga poliagjenti, puçisti e terroristi Mehmet Shehu për të komplotuar kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për të përmbysur pushtetin popullor dhe për të vendosur në vend të tij një regjim kapitalisto-revizionist, shtypës e shfrytëzues për popullin.
Për arritjen e qëllimeve të tyre komplotiste këta armiq kanë vepruar si pjesëtarë aktivë të një organizate kundërrevolucionare, të krijuar nga Mehmet Shehu, kanë kryer veprime përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të KQ, kanë sabotuar vijën politike të partisë dhe ekonominë socialiste, kanë zhvilluar agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri...
Veprimtaria e tyre në shërbim të agjenturave të huaja është e hershme dhe e organizuar. Një nga agjencitë më aktive të spiunazhit, që ka vepruar qysh herët kundër popullit tonë është agjentura amerikane. Misionarë të ndryshëm të saj, të maskuar me petkun e diplomatit, tregtarit, mësuesit, mbledhësit të folklorit e të tjerë, nisën të thurin rrjetin e tyre të spiunazhit qysh në vitet ‘30. Pikërisht në vitet ‘30 kuadri i njohur i zbulimit amerikan, ish-drejtori i shkollës teknike në Tiranë Harry Fulc, rekrutoi ndër të tjerë, Mehmet Shehun, të cilin e përgatitën me synim që t’u shërbente interesave të imperializmit amerikan në Shqipëri. Për ta bërë të aftë për këtë qëllim dhe për t’i rritur kredinë politike e për t’i krijuar mundësitë, që të depërtonte në lëvizjen revolucionare, Mehmet Shehun e dërguan për studime ushtarake në Itali dhe më pas në luftën e Spanjës si “luftëtar antifashist”. Më pas në vitin 1942 e dërguan në Shqipëri, ku kishte marrë hov lufta nacionalçlirimtare. Pikërisht në këtë periudhë armiqtë imperialistë e borgjezia reaksionare thurte plane të errëta kundër Shqipërisë, synonte të sabotonte luftën për çlirim dhe sidomos të mos lejonte që populli të vinte në fuqi. Në krye të këtyre përpjekjeve reaksionare ishin anglo-amerikanët, por bashkë me ta ishin dhe vepronin edhe zbuluesit jugosllavë që ishin kamufluar në “shok” e “miq”. Zbuluesit jugosllavë nën pretekstin gjoja të forcimit të bashkëpunimit në luftë kundër fashizmit, punuan sistematikisht për të minuar dhe sabotuar luftën nacionalçlirimtare në Shqipëri. Për këtë, përveç mjeteve të tjera, përdorën gjerësisht punën agjenturore. Emisari titist Dushan Mugosha me pseudonimin “çalamani”, nisi studimin e elementëve më të përshtatshëm për t’i vënë në shërbim të zbulimit jugosllav. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri “çalamani” rekrutoi edhe Mehmet Shehun e të tjerë të shitur, ndër të cilët edhe të pandehurën Fiqirete Sanxhaktarin (Shehu), të cilës i dha pseudonimin “Fisari”. Me rekomandimin e tij, e pandehura u lidh në martesë me Mehmet Shehun.
Nëpërmjet këtyre agjentëve dhe të tjerë si këta, revizionistët jugosllavë janë përpjekur të devijojnë luftën tonë nacionalçlirimtare dhe të krijojnë kushtet që Shqipëria të ishte gjithnjë një vend i varur nga Jugosllavia, vasal i saj. Për këtë qëllim ata organizuan dhe nxitën prapaskenën e njohur të Beratit, në nëntor të vitit ‘44, ku goditën Partinë Komuniste Shqiptare, vijën e saj Marksiste-leniniste dhe veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm të saj shokun Enver Hoxha. Jugosllavët donin ta nënshtronin PKSH-në dhe të lidhnin pas vetes Shqipërinë e re që do të dilte fitimtare. Por ata dështuan në planet e tyre djallëzore në saj të vigjilencës së partisë e të luftës së vendosur e të guximshme të udhëheqësit të saj shokut Enver Hoxha.
Në radhën e agjentëve titistë, që vepronin në konspiracion e prapa shpinës së Partisë, rol nga më të urryerit kanë luajtur spiunët e vënë në shërbim të zbulimit jugosllav Mehmet Shehu, Fiqirete Shehu, Kadri Hazbiu, Liri Gega e tjerë. Ata kanë përdorur terrorin dhe kanë mbajtur qëndrime sektare, me qëllim që të diskreditonin forcat partizane dhe PKSH, që ta shkëpusnin këtë nga populli, të minonin kështu Luftën Nacionalçlirimtare dhe t’u jepnin armë emisarëve të Titos për të akuzuar e goditur partinë dhe sekretarin e saj të përgjithshëm. Duke vepruar si agjent i shumë zbulimeve, Mehmet Shehu vuri në rrezik Shtabin e Përgjithshëm gjatë operacionit gjerman të dimrit të viti ‘43-‘44, ai sipas detyrës së vënë nga anglo-amerikanët u përpoq të pengonte zbatimin e urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm për kalimin e Divizionit të Parë në Veri dhe pasi u detyrua të vepronte bëri përpjekje të shumta për të penguar asgjësimin e plotë të ushtrisë gjermane në Tiranë, si dhe të bandave tradhtare të Abaz Kupit me shokë.
Mehmet Shehu si mercenar i anglo-amerikanëve ka vepruar me synim që në Shqipëri pas luftës të vendosej regjimi borgjez, ku përsëri në krye të vendit të ishin bejlerët e çifligarët, por të maskuar si liberalë e demokratë. Për këtë dëshmon programi i shkruar me dorë nga Mehmet Shehu në vjeshtë të vitit ‘42 dhe që iu gjet në kasafortën e tij pas vetëvrasjes. Ky program që i ishte servirur nga padronët e vet anglo-amerikanë, është përqafuar qysh gjatë luftës dhe nga armiqtë Kadri Hazbiu e Fiqirete Shehu e të tjerë. Të gjithë së bashku, në mënyrë të organizuar dhe në konspiracion të plotë, të drejtuar nga zbulimet anglo-amerikane dhe ato jugosllave, punuan për vënien e tij në jetë në Shqipëri...
Zbuluesit jugosllavë që vepruan në Shqipëri menjëherë pas çlirimit, punuan në mënyrë të fshehtë për të gllabëruar atdheun tonë. Duke ndjekur rrugën e paraardhësve të tyre, të dërguarit e Titos në këto vite i vazhduan përpjekjet antimarksiste e antishqiptare, duke përdorur dhe duke ndërsyer në sulm agjentët e miqtë e tyre të vjetër Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Nako Spiro, Sejfulla Malishova e të tjerë. E gjithë veprimtaria e tyre në këtë periudhë synonte likuidimin e Partisë dhe të udhëheqjes së saj të shëndoshë, marrjen e pushtetit nga ana e tyre dhe aneksimin e Shqipërisë Jugosllavisë titiste si republikë e saj e shtatë. Ata dështuan në të gjitha përpjekjet e tyre djallëzore. Pas demaskimit të revizionistëve jugosllavë në vitin ‘48, zbulimet e huaja e intensifikuan luftën e tyre ndaj vendit tonë, duke përdorur forma nga më të ndryshmet dhe kryesisht organizimin e banditizmit etj. Në luftën me këtë banditizëm të agjenturave të huaja ranë mëse 700 dëshmorë.
vijon nesër...

Skënder Shehu: Nga Suedia realizoja lidhjet e Mehmetit me zbulimin amerikan

Skënder Shehu: Babi më tha të dërgojmë në Suedi të vendosësh lidhje direkte me amerikanët. Ai më vuri detyrë që të takoja në Suedi të dërguarin amerikan, i cili do më thoshte: "Përshëndetje nga xhaxhi Harri" dhe ti do të kuptosh, më tha babai se, ai person është i dërguar nga amerikanët dhe do t’i përgjigjesh "Mirësevjen, nipi e ka ndjerë mungesën e tij dhe e ka marrë malli për të". Nga fundi i muajit tetor 1980 ose fillimi i muajit nëntor të po atij viti, një ditë duke qenë në dhomën ku studioja, më erdhi një person i panjohur, të cilin e kisha parë atë ditë nëpër korridoret e godinës. Pasi hyri në dhomën time, më pyeti: “Ti je Arjan Bogova?” (emri që unë mbaja vazhdimisht në Suedi). “Unë jam iu përgjigja”. Ai më tha "ke përshëndetje nga xhaxha Harri". Unë iu përgjigja: "Mirsevjen, nipi e ka ndjerë mungesën e tij dhe e ka marrë shumë malli. Kur kam këmbyer këto parrulla,  agjenti është prezantuar me emrin Robert Rajs. 
Nesti Nase: Unë kam mbajtur lidhjet e Mehmetit me agjenturën amerikane. Kur shkova në OKB, Mehmet Shehu më ka dhënë mesazhe për miqtë e tij amerikanë, të cilët ua kam dorëzuar përfaqësuesve të agjenturës amerikane Jakobson e Aderson dhe kam marrë prej tyre mesazhe të tjera. Mehmeti nëpërmjet këtyre mesazheve kërkonte udhëzime e përkrahje. Mbaj mend që kur Adersonit i dhashë letrën e Mehmetit, ai pa e lexuar atë, më dha një pliko për Mehmetin. Aty unë e kuptova se ata merreshin vesh edhe në mënyra të tjera.
Skënder Shehu: Edhe fejesën para se të nisesha me studime pasuniversitare në Suedi në korrik të vitit ‘79, babai më tha se atë ia kërkonte agjentura amerikane. Amerikanët kërkojnë nga unë që të kryej veprime edhe në drejtim të zbutjes së luftës së klasave për të fejuar ty me një vajzë me përbërje të keqe. Amerikanët më thonë se duhet ta bësh ti  një gjë të tillë, që populli të kuptojë, se duhet ndjekur kjo vijë dhe kështu duhet të vazhdojnë edhe të tjerët në të ardhmen. Ai më tha se për këtë gjë kishte caktuar Feçor Shehun që të gjente një vajzë me përbërje të keqe biografike, ndërsa nga anët e tjera të ishte shumë e mirë. Ai më rekomandoi Silvën, që atëherë ishte nxënëse në gjimnazin "Sami Frashëri" dhe luante volejboll te skuadra “Dinamo”.
Fiqirete Shehu: Mehmeti kishte një radio që merrej vesh me zbulimin perëndimor. E vërteta është se në vitin 1972, kur ai shkoi për vizitë mjekësore në Paris u takua me një person të agjenturës amerikane në klinikën, ku operohej dhe mori prej tij një radio marrëse-dhënëse me foni, me anën e së cilës Mehmeti komunikonte herë pas here me agjenturat e huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›