Shalsi: Meta, fushatë shpifjesh për Bashkinë
“Jemi të keqardhur për deklaratën e shëmtuar, që duhet të përgënjeshtrojmë sot, por kërkojmë mirëkuptimin e bashkëqytetarëve tanë, në kushtet e një fushate shpifjesh, që Ilir Meta ka nisur ndaj institucionit tonë”. Kështu reagoi dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. Ai hodhi poshtë deklaratën e LSI, ku thuhet se Qeveria i ka dhënë Bashkisë së Tiranës leje për të ndërtuar dy parkingje në kryeqytet, pa një masterplan të miratuar paraprakisht. “Sqarojmë se Qeveria nuk i ka dhënë asnjë leje Bashkisë së Tiranës, po thjesht pas një zvarritjeje disavjeçare të kërkesës sonë ligjore, për miratimin e një procedure koncesioni, ka bërë me shumë vonesë detyrën e saj, duke i hapur rrugë hapave të mëtejshëm ligjorë për të realizuar dy parkingje nëntokësore”, tha Shalsi. Sipas tij, ata do të ndërtohen përkatësisht në krahun verior të Parkut “Rinia” dhe në sheshin “Italia”, në bazë të masterplanit të qendrës, i cili është hartuar me konkurs ndërkombëtar nga studioja franceze “Architecture Studio” në vitin 2003, është miratuar nga Qeveria shqiptare në vitin 2004, është pronë e publikut prej 4 vjetësh, dhe prej vitesh i ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Në deklaratën në fjalë ngrihet pyetja “Përse do të prishet parku Rinia? Cili institucion e ka miratuar një projekt të tillë dhe përse ky projekt nuk i bëhet i njohur publikut?. Sqarojmë se parku “Rinia” nuk do të prishet. Parkimi nëntokësor në zonën e këtij parku është parashikuar në anën veriore të tij, ku s’ka asnjë pemë, pikërisht që të mos pritet asnjë pemë ekzistuese”, deklaroi nënkryetari i bashkisë. Ai nënvizoi se ky projekt po zhvillohet sipas të gjitha kërkesave të ligjit dhe se publiku është njohur me të. “Në deklaratën në fjalë ngrihet pyetja “Cilat janë projektet e paraqitura për dy parkingjet dhe mbi ç’bazë është bërë përzgjedhja e tyre?”, Sqarojmë se bëhet fjalë për një praktikë ligjore që mbështetet plotësisht në legjislacionin shqiptar, që është diskutuar e trajtuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës më 10 nëntor 2006, i cili sipas ligjit, ia ka kaluar për kompetencë Këshillit të Ministrave, që e futi në një labirint të stërzgjatur burokratik”, theksoi Shalsi.
Sipas tij, është për të ardhur keq, edhe për faktin se në këtë fushatë shpifjesh ka edhe një padituri të dhimbshme profesionale.