E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Falja nis në maj, ja si do të veprohet për te përfituar

Ministri Bode në një konferencë për shtyp ditën e djeshme ka bërë me dije se procesi i faljes fiskale do të nisë në dy javët e para të muajit maj dhe do të përmbyllet në fund të këtij viti. Ai ka bërë me dije se nisja e procedurave do të të jetë me tërheqjen e formularit në administratën tatimore, plotësimin e tij dhe depozitimin po në këtë administratë. Ai u shpreh se mënyra për të tërhequr formularin e vetëdeklarimit nuk është vetëm nëpërmjet paraqitjes në administratën tatimore, por mund të tërhiqen në rrugë elektronike apo hard copy. Ndërsa deklarimet do t’i bëjnë vetë qytetarët në bankë, hipoteka etj. Sipas tij, është e pamundur që ky proces të përfshijë pastrim parash. “Ne falim atë që deklarohet, kapitalet dhe paratë e krijuara nga evazioni fiskal. Nëse ju mendoni se do të bëhet pastrim parash, ajo quhet vepër kriminale dhe është e ndëshkueshme. Ne po themi që nuk përfitojnë kategoritë e krimit të organizuar dhe pastrimi i parave është vepër që përfshihet në krimin e organizuar. Ditën që do të legalizojë, ka të drejtë të bëjë gjithçka, por në momentin që vërtetohet një lidhje e tillë për pastrim parash do të konfiskohen.”- u shpreh ministri Bode. Ministri Bode ka dhënë garanci për kryerjen e procesit, duke deklaruar se janë gati aktet nënligjore të ligjit të sapomiratuar në Kuvend. Sipas tij, në Kuvend po diskutohen një sërë dispozitash që forcojnë zbatimin e ligjit dhe rrisin penalitetet. “Rritet represioni, pasi në të kundërt amnistia nuk do të kishte kuptim. Kemi përgatitur një paketë përmirësimesh ligjore, një pjesë e të cilave kanë kaluar dhe një pjesë janë duke kaluar dhe që janë të lidhura ngushtë me këtë legalizim të kapitaleve dhe falje. Kjo do të thotë se pas këtij momenti nuk mund të ketë tolerancë për veprime të fshehjes. Një pjesë e mirë e fshehjeve ka qenë e justifikuar pikërisht me këtë defekt që kanë kompanitë në balancën e kapitaleve të aktiviteteve të tyre ekonomike.”- tha ai. Por në të njëjtën kohë ai garantoi se amnistia nuk do të ndodhë gjithmonë dhe nuk do të jetë precedent elektoral. “Por kjo nuk do të thotë se do të bëjmë një amnisti fiskale dhe pas kësaj nuk do të ketë më kontrolle. Kjo amnisti fiskale i jep të drejtën dhe mundësinë çdo biznesi, çdo kompanie, të deklarojë shumat e padeklaruara më parë, në këmbim të një pagese prej 50% të vlerës së fshehur. Në qoftë se edhe pas kësaj ndërhyrjeje nuk do të deklarojnë, sigurisht që administrata do të ketë të drejtën e kontrollit. Nuk mund të themi se një amnisti do të heqë mundësinë e çdo kontrolli të mëvonshëm. Por vepra e amnistuar nuk mund të kontrollohet, shumat e amnistuara nuk mund të kontrollohen, shumat e njohura nga ligji dhe të legalizuara qoftë të aseteve, qoftë të kapitaleve nuk mund të jenë më objekt i kontrollit tatimor dhe këtë ligji e ka të qartë.” - tha ai. Ai deklaroi gjatë konferencës për shtyp se nga përllogaritjet vetëm falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë të reja, ndërkohë që një sërë lehtësirash të reja i krijohen biznesit për të kapërcyer atë fazë jo fort të këndshme që ka aktualisht me organet fiskale. Sipas Bodes, nga eksperienca e vendeve të tjera, pas një periudhe informaliteti dhe mungese të ligjit, falja fiskale do të japë efekte pozitive edhe në të ardhurat vjetore të buxhetit, por njëkohësisht duke çliruar në perspektivë nga detyrimet e rritura një sërë kompanish dhe një grup të madh qytetarësh. Ministri Bode bëri me dije se janë marrë masat që të organizohet sistemi i punës, pasi i gjithë ky është një proces vetëdeklarimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›