Erozioni po gërryen çdo vit me 20% sipërfaqen e Shqipërisë
Erozioni po gërryen çdo vit vendin tonë dhe për këtë arsye Shqipëria po zvogëlohet çdo vit me qindra hektarë. Shqetësimi për këtë fenomen të pandalshëm, nëse nuk merren masat e duhura, është ngritur dje, në Ditën e Tokës, nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe specialistë të fushës. Me rastin e Ditës së Tokës, ministri Mediu organizoi një takim me studentët dhe stafin pedagogjik të Universitetit Bujqësor të Kamzës, që ka si sfidë krijimin e një brezi specialistësh e intelektualësh për të menaxhuar sa më mirë atë pjesë të tokës, që përdoret më shumë, toka bujqësore. Sipas ministrit Mediu, thatësirat e zgjatura apo reshjet e dendura, pjerrësitë e mëdha të shpateve e mungesa e mbulesës bimore në to kanë shpënë në mjaft sipërfaqe të globit, përfshi edhe Shqipërinë, në humbjen e vetive dhe karakteristikave thelbësore të sipërfaqes së tokës. Por, po aq e rëndësishme, dhe në disa raste primare në favorizimin e këtyre proceseve negative, sipas tij, është edhe veprimtaria e njeriut. “Një shqetësim tjetër që do të doja të ndaja me ju sot është dhe erozioni. Kjo dukuri natyrore është një nga sfidat që vendi ynë po përballet sot, sfidë për të cilën ju duhet të përgatiteni të përballeni pas përfundimit të studimeve. Shkaqet e përhapjes në vendin tonë nuk janë vetëm shkaqe nga kushtet gjeoklimatike, si sasia e reshjeve apo pjerrësia e theksuar, por shpesh faktorë negativë janë bërë ndërhyrjet në natyrën shqiptare. Studimet tregojnë se çdo vit, në Shqipëri gërryhet në 20% të sipërfaqes së tokës. Çdo vit hidhen në det, nëpërmjet rrjetit ujor mbi 60 milionë tonë materiale të ngurta”, - ka deklaruar ministri i Mjedisit. Ndërkohë, specialistët e fushës shpjegojnë se shkarjet e rrugëve, shembjet e shtëpive, ndotja e ujit nga rrëshqitjet e dherave janë vetëm disa nga pasojat e dukshme të erozionit të tokës në vendin tonë. Sipas tyre, shkatërrimi i sistemit të kanalizimeve, mosmenaxhimi i ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, prerja e pyjeve, ndërtimi i shtëpive pa studime, kanë sjellë çdo vit dëme të mëdha në objekte dhe tokë. Profesor Vangjo Kovaçi sqaron se është shumë e rëndësishme që të rivitalizohen institucionet kërkimore dhe t’i jepet rëndësi mënyrës sesi shfrytëzohet toka. “Investimet që kryhen, të bëhen atje ku duhen, kur duhen dhe si duhen. Specialistët të flasin nëse duhet të bëhen punime. Të menaxhohen ujërat, për të mos krijuar probleme të erozionit dhe të ketë një kompromis mes pronarëve të tokës, pasi ne jemi të ndërgjegjshëm se sot fermerët tokën e kanë të copëzuar”, - shprehet Kovaçi. Nga ana tjetër, mungesa e investimeve për një kohë të gjatë ka bërë që harta e zonave të përfshira nga shkarjet dhe shembjet të shtrihet nga veriu në jug. “Zona veriore, kryesisht Shkodra dhe pjesërisht qarku ose më mirë rrethi i Tropojës, Saranda, Gjirokastra, pjesërisht Tepelena kanë një erozion potencial shumë të lartë, zona perëndimore zë vendin e dytë dhe vlera në këtë zonë arrin nga 20 dhe 30 tonë për hektarë. Sigurisht, në këtë zonë efektet e gërryerjes së tokës ndodhin pranë brigjeve të lumenjve”, - shpjegon më tej Kovaçi. Lënia e tokave djerrë e favorizon edhe më shumë gërryerjen dhe rrëshqitjen e tokës. Aktualisht, Shqipëria është ndër vendet me shkallën më të lartë të erozionit në kontinent.