E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Kështjella”, si u organizua trafiku i drogës

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
“Kështjella”

Heroina e sekuestruar në Kakavijë, mesditën e së shtunës, nga operacioni “Kështjella”, ka ardhur pas një pune të mirorganizuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria. Gjatë dhënies së masës së sigurisë, prokurori i çështjes ka treguar itinerarin e shtetasve gjermanë dhe mënyrën e ndjekjes nga ana e agjentëve të policisë. Ndërkaq, pas kërkesës së prokurorit, pesë të dyshuarit për trafikimin e sasisë prej 40 kilogramë droge e llojit heroinë do të mbahen të izoluar në paraburgimin e Tiranës, deri në përfundim të hetimit të hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi dje kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë së "arrestit me burg" për shtetasit: Daniel Englert, Franz Kiacsek e Regina Kiacsek, me shtetësi gjermane si dhe Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa nga Fieri. Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, shtetasit gjermanë mbajtën qëndrim mohues ndaj akuzës së ngritur ndaj tyre nga Prokuroria, ndërsa dy fierakët nuk preferuan të flasin për çështjen që akuzohen.
Operacioni
Javë më parë, Prokuroria kishte rënë në gjurmët e një grupi të përbërë nga shtetas gjermanë e shqiptarë, të cilët kryenin trafik të lëndëve narkotike. Ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kishin vënë re se gjermani Daniel Englert komunikonte shpesh me një numër shqiptar. Të ndodhur përpara këtij fakti, prokurorët vunë nën përgjim këtë numër që i përkiste Albert Pëllumbajt. Gjatë një telefonate që Englert i drejtonte Pëllumbajt më 30 prill, gjermani u shpreh: “Shoferët janë duke ardhur”. Pas marrjes së informacionit se Englert mbërriti në Shqipëri, në datën 1 maj, u vu menjëherë në përgjim dhe numri i tij i telefonit. Po atë ditë, në portin e Durrësit kishin mbërritur dhe dy shtetasit e tjerë gjermanë, Franz e Regina Kiacsek, të cilët menjëherë u nisën drejt aeroportit të Rinasit, ku morën Englertin. Tre të ndaluarit, më pas iu drejtuan qytetit të Lushnjës dhe ndaluan për disa momente në hotelin “Pilo Lala” që gjendet në qendër të qytetit. Pas disa momentesh qëndrimi në këtë hotel, tre të ndaluarit shkuan drejt hotelit “Blerimi” që ndodhet sërish në këtë qytet. Pas sistemimit në dhoma, Daniel Englert merr makinën tip “Peugeot” të çiftit gjerman dhe drejtohet për nga autostrada Lushnjë-Fier, ku rrugës takon Albert Pëllumbajn, të cilin e merr në makinë dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të Fierit. Pa hyrë në qytet, drejtimin e makinës e merr Pëllumbaj, ndërsa Daniel Englert qëndron në një lokal pranë “Urës së Mbrostarit”. Pëllumbaj u drejtua për në vilën e Zaim Tafës, me makinën “Peugeot”. Ishte pikërisht Tafa ai që hapi derën e vilës dhe derën e garazhit, ku u fut makina me targa gjermane. Përballë vilës së Tafës, gjendej makina tip “Mercedes Benz”, e cila ishte në pronësi të Pëllumbajt. Pas disa orësh qëndrimi në vilë, prej andej del Tafa, i cili ishte duke drejtuar makinën tip “Mercedes Benz” dhe vetëm dy minuta pas tij del Pëllumbaj, i cili ishte në drejtimin e makinës së gjermanëve dhe u drejtua për te lokali ku e priste Englerti, duke i dorëzuar këtij të fundit makinën. Me marrjen e makinës, gjermani u drejtua sërish në drejtim të Lushnjës ku ndaloi pranë hotelit “Pilo Lala .
Arrestimi
Një ditë më pas, më 2 maj, çifti Kiacsek kaloi pikën kufitare të Kakavijës, ku pas vulosjes së pasaportave, ndërhyri Policia Gjyqësore, e cila gjatë kontrollit të makinës bëri të mundur bllokimin e një sasie prej 40 kg heroinë dhe shoqërimin e dy gjermanëve për në polici. Po atë ditë është bërë i mundur dhe arrestimi i Daniel Englert, i cili ishte duke tentuar për t u larguar nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Gjithashtu, u bë i mundur dhe arrestimi i dy fierakëve: Zaim Tafa dhe Albert Pëllumbaj, të cilët ishin duke qëndruar në ambientet e lokalit “Kështjella”, i cili ishte në pronësi të të ndaluarit Tafa.
Sipas organit të Prokurorisë, mendohet se sasia e drogës së sekuestruar ishte destinuar për t u tregtuar në Gjermani, duke kaluar transit nga Greqia e shtete të tjera perëndimore. Heroina e bllokuar në operacionin "Kështjella", përbën sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe vlera e saj llogaritet në mijëra euro.

Gjatë një telefonate që Englert i drejtonte Pëllumbajt më 30 prill, u shpreh: “Shoferët janë duke ardhur”

Fshirja e gjurmëve
Gjatë leximit të detajeve të operacionit prokurori theksoi edhe detajet më të vogla që për hetimin janë tepër të rëndësishme. Prokurori theksoi se, pasi Pëllumbaj i dorëzoi makinën e çiftit gjerman bashkëkombasit tjetër të tyre, ky i fundit nxori nga bagazhi i makinës një copë të verdhë dhe një solucion dhe nisi larjen e makinës si brenda dhe jashtë, për të fshirë të gjitha gjurmët që mund të gjendeshin në të, më pas ai iu drejtua hotelit “Blerimi” ku i dorëzoi makinën çiftit të moshuar gjerman.
Ky lajm është publikuar: 07/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›