E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS: Shumica, skenar për të shpëtuar imunitetin e Bashës

Opozita akuzon mazhorancën se ka një plan për të kthyer në nul ligjor kërkesën e akuzës për heqjen e imunitetit të ministrit Lulzim Basha. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë së Socialistëve, Ylli Manjani, i bëri dje thirrje Kryeministrit ta bëjë të vërtetë "tolerancën zero", duke përshpejtuar procedurat e heqjes së imunitetit të ministrit të tij. Manjani i kërkoi edhe Prokurores së Republikës që të mos bëhet pjesë e teatrit të shëmtuar politik të klanit drejtues të qeverisë, i cili kërkon me çdo kusht mbylljen e hetimeve të nisura ndaj ish-ministrit të Transporteve. "Zoti Basha dhe grupi i tij politik janë duke zbatuar një skenar, sipas të cilit kërkohet edhe një muaj kohë, deri sa kërkesa e prokurorisë për heqje të imunitetit të bjerë pa u shqyrtuar në Kuvend", tha Manjani. Duke sqaruar se sipas rregullores së Kuvendit, kur kërkesa e prokurorit nuk shqyrtohet brenda 3 muajsh ajo bie. "Në këto kushte Prokurorisë së Republikës i kërkohet të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, duke rikonfirmuar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të ministrit dhe jo të bëhet pjesë e skenarit teatral të zotit Basha dhe të klanit të tij në qeverisje", nënvizoi Manjani. Partia Socialiste i kujton Kryeministrit se është koha që ta çojë tolerancën në zero, siç edhe ka premtuar, dhe të shpejtojë procedurat e heqjes së imunitetit të ministrit të tij, duke i hapur rrugë prokurorisë ta vendosë zotin ministër në bankën e të akuzuarve. Manjani vlerësoi se është e paligjshme dhe e turpshme loja teatrale që bën në media ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Ai nguli këmbë se zoti Basha është nën akuzë penale për shpërdorim të postit shtetëror të ministrit të Transporteve. "Kjo akuzë nuk i është komunikuar, sepse zoti ministër është zyrtar me imunitet dhe mazhoranca parlamentare ende nuk ia ka hequr atë", u shpreh Manjani. Sipas tij, ministri është thirrur për t‘u akuzuar dhe jo për të dëshmuar në Prokurori. "Nëse zoti Basha do të pijë një kafe në prokurori kjo është punë e tij, por opinioni publik pret që atij t‘i komunikohet akuza për shpërdorim të detyrës", vijoi Manjani. Ndërsa shtoi se në këto kushte, deklaratat e tij individuale për paraqitje në prokurori nuk kanë asnjë vlerë legale. Socialistët konstatojnë se arroganca zyrtare me të cilën ky zotëri komunikon publikisht me Prokurorinë e Republikës është fyese dhe me moral të dëmshëm për luftën kundër krimit. "Imagjinoni se çdo të ndodhte sikur të gjithë të akuzuarit për krime të talleshin me prokurorinë, ashtu siç tallet zoti ministër. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 18 të saj parashikon se "të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit". Ky parim vlen sigurisht edhe për zotin Basha", argumentoi Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›