"Pista e dytë hetimore për Rrëshen-Kalimash"
Një vendim i qeverisë "Nano" në vitin 2004 për dhënien me koncesion të segmentit Rrëshen-Kalimash është prova e re e opozitës kundër ish-ministrit Basha. Numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, bëri publike atë çka e cilësoi pistë të dytë hetimi për Prokurorinë e Përgjithshme. Dosja me dokumentacionin përkatës do t‘i dërgohet komisionit parlamentar për koncesionet në Kuvend. Bëhet fjalë për vendimin e datës 17.12.2004 nr.846. Ky është vendimi origjinal në bazë të të cilit pastaj është kaluar në Fletoren Zyrtare, i marrë nga qeveria pararendëse socialiste për fillimin e procedurës së ndërtimit me koncesion të formës bot të rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e segmentit Durrës-Kukës-Morinë. Në këtë vendim citohet fillimi i procedurës së ndërtimit me koncesion të formës bot të rrugës Rrëshen-Kalimash, sipas projektit të paraqitur nga shoqëria "Strabah". Në këto materiale është edhe projekti i propozimit i pa kërkuar për ndërtimin me koncesion të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe autostradës Rrogozhinë-Tiranë-Pezë-Rinas-Thuman, paraqitur nga "Strabah International". "Sot, që flasim ka në fuqi një vendim të një qeverie shqiptare të nënshkruar nga Kryeministri i asaj periudhe, i cili në bazë edhe të propozimit të konsulentëve, që kanë kryer projektin e fizibilitetit në vitin 2003, që është "Mecdonalds" dhe një kompani tjetër, sipas të cilit kjo rrugë duhet ndërtuar me koncesion", u shpreh Braçe. Këto dokumente sipas tij ngarkojnë me përgjegjësi ministrin e Transportit të qeverisë së Kryeministrit Berisha, i cili jo vetëm që i ka fshehur qeverisë këto dokumente, por mbi të gjitha nuk ka zbatuar një vendim të qeverisë, pavarësisht se kush ka qenë Kryeministër i asaj qeverie. "Ka shumë mundësi, që qeveria e sotme të ndodhet në kushtet e vjedhjes së pronësisë intelektuale për shkak se, propozimi i parë dhe autentik ka ardhur pra, nga shoqëria Strabah", këmbënguli Braçe. Ai kujtoi një tjetër shkelje, faktin se qeveria e Kryeministrit Berisha nuk e ka shfuqizuar këtë vendim, por ka refuzuar që të zbatojë vendimin e qeverisë së mëparshme, duke i sjellë edhe një kosto të jashtëzakonshme buxhetit të shtetit. "Bëhet fjalë për diferenca marramendëse në kostot e koncesionit në shoqërinë ‘Strabah‘ dhe natyrisht kostos që po del sot dhe që natyrisht po e pohoj me plot gojën, që nuk është 520 milionë euro për këtë segment saç thotë ministri i Transportit", theksoi Braçe. Pavarësisht se "Strabah" mori pjesë në konkurrimin që shpalli qeveria për të ndërtuar segmentin Rrëshen-Kalimash, "Strabah" siç thuhet edhe në dokumentet e Prokurorisë nuk ju dha mundësi, që të konkurronte për koston financiare, sepse qeveria e Shqipërisë nuk ndërmori absolutisht asnjëherë konkurrim për kostot e ndërtimit të rrugës. "Refuzimi i zbatimit të këtij vendimi, refuzimi i zbatimit të këtij propozimi dhe refuzimi i lidhjes së kontratës së koncesionit me shoqërinë "Strabah", natyrisht që i ka sjellë një kosto të jashtëzakonshme buxhetit të shtetit", theksoi Braçe. Opozita siguroi se këto dokumente do t‘i kalojnë po sot komisionit hetimor për rrugën Rrëshen-Kalimash. "Do t‘i kalojnë komisionit hetimor për koncesionet në Republikën e Shqipërisë dhe këto dokumente, po sot, për efekt të kostos që është planifikuar këtu dhe që është shumë e ndryshme nga kostoja minimale dhe pastaj ajo, që deklaron sot ministri i Transportit, diferencat janë 200 milionë euro ose mos më tepër", u shpreh Braçe.