E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbyen një 15-vjeçare, arrestohen tre të rinj

Tre persona, të cilët akuzohen për rrëmbimin e një minoreneje dhe se kanë tentuar ta përdhunojnë atë, janë arrestuar dje nga policia. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, ndërkohë që ndalimi i të rinjve u krye mesditën e së mërkurës. Policia e kryeqytetit tha se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të rinjve sekuestroi edhe një sasi kanabisi. Ndërkohë që dyshohet se i përfshirë në këtë ngjarje ka qenë edhe një person i katërt, që mund të ketë pasur lidhje me të miturën dhe që është shpallur në kërkim nga policia. “Në prangat e specialistëve të Seksionit të Krimeve Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit u vunë 19-vjeçari S. P., 24-vjeçari Jah Metalija dhe 19-vjeçari Taulant Necaj, të tre banues në Tiranë”, - thuhet në njoftimin e policisë. Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth tre ditë më parë në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, me automjetin e tyre tip “Benz Mercedes”, me targa TR 1251 I, kanë marrë me dhunë një vajzë 15-vjeçare. Ata më pas e kanë çuar atë në një banesë, duke e mbajtur për afro dy ditë në ambientet e saj. Banesa ku është mbajtur ndodhet në lagjen “Kombinat” të kryeqytetit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se të rinjtë kanë tentuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren. Policia, pas hetimit të kryer dhe pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën ku është mbajtur e mitura gjeti një sasi prej 38.4 gramësh bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se të rinjtë mund të kenë pasur një tjetër bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Ai mund të jetë një shoku i tyre, i cili dyshohet se ka qenë edhe i dashuri i 15-vjeçares. Ndërkohë po vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Dyshohet se gjatë dy ditëve në të cilat e mitura është mbajtur peng, ajo mund të jetë abuzuar nga të rinjtë.
Tre të rinjtë janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit.
Të ndaluarit akuzohen për kryerjen e tre veprave penale, atë të “heqjes së paligjshme të lirisë” në bashkëpunim dhe “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, si dhe për “prodhimin e shitjes së lëndëve narkotikëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›