E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i rrugës hyrëse përplas banorët me bashkinë

Ecuria e projektit për zgjerimin e rrugës hyrëse të Sarandës, vazhdon të jetë burim përplasjesh mes Bashkisë së Sarandës, dhe banorëve që cenohen nga projekti. Janë të paktën dy banesa nën një hotel privat, të cilat "sakrifikohen" nga projekti që i rrafshon ato të paktën në gjysmën e sipërfaqes. Debati mes familjeve, të cilave do t‘u prishen shtëpitë me zbatimin e projektit të rrugës hyrëse për në qytetin e Sarandës, ka kohë që vazhdon. Banorët ankohen se bashkia i zvarrit, duke e kaluar kompetencën e dëmshpërblimit në institucione të tjera. Fillimisht u është thënë se do të paguhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Ministrinë e Transporteve. "Dokumentet janë bërë, por kanë vonuar me muaj"-shprehet për "Shqip", Abaz Baba, njëri prej banorëve. Me marrjen e lejes së legalizimit nga Shaban Memia, një muaj më parë, ata kishin menduar se u ishte vënë kapak njëherë e mirë këtij debati. Por pak ditë më parë ata kanë mësuar se ndonëse ka mbërritur mënyra e kompensimit dhe dëmshpërblimit të tyre nga ministria, atyre u mbahet e fshehtë. Banorët pretendojnë se është bërë vetëm piketimi me bojë të kuqe, në pjesën e tokës që kap zbatimi i projektit të rrugës hyrëse, ndërkohë që asgjë serioze nuk u është premtuar. Ata shprehen se prej katër muajsh jetojnë në tension dhe stres. "Ne nuk jemi në kundërshtim për ndërtimin e rrugës hyrëse, se është për të mirë të qytetit, por duhet të shpërblehemi dhe mos të na lënë pa çati", thonë ata.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›