Tropojë, bllokohet aksi rrugor Qafë Mali-Fierzë

Shembja e skarpatës ka ndodhur për shkak i lagështirës së krijuar nga derdhja e ujërave nga njëra portë e hidrocendtralit
Flutura Tota
Tropojë - Rruga që lidh Tropojën me pjesën tjetër të vendit, përkatësisht aksi Fierzë-Qafë Mali është bllokuar paraditen e së dielës, për shkak të shembjes së skarpatës së malit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes bëhet fjalë për shembjen e disa qindra metër kub dhe, shembje e cila ka ndodhur si rezultat i lagështirës së krijuar nga derdhja e ujërave nga njëra portë e hidrocendtralit.
Derdhja e detyruar e ujit nga tuneli i shkarkimit kishte krijuar probleme jo të vogla edhe për urën që lidh dy brigjet, 500 m larg kullës së hidrocentralit, por tashmë dallgët e forta kanë bërë që edhe skrapata e rrugës të mos i rezistojë. Një masiv dheu ka rënë edhe gjate nates se djeshme afërsisht në të njëjtin segment ku tashmë po punojnë 4 fadroma të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve për pastrimin e aksit. Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit Ali Elezi thotë për “Korrierin” se që në orën 09.00 të mëngjesit aksi Qafë Mali-Fierzë është bllokuar nga forcat e policisë të cilat nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve në këtë aks. Po sipas tij është bllokuar edhe lëvizja në urën e cila ndodhet shumë pranë hidrocentralit.
“Për të evituar ndonjë aksident të mundshëm nëpër gjithë aksin ne kemi vendosur postblloqe në të dyja rrugët, pra Qafë Mali- Fierzë si dhe në hyrje-dalje të urës, që në orët e hershme të mëngjesit. Si fillim i kemi lënë automjetet të lëvizin por më pas pamë se një gjë e tillë ishte krejt e pa mundur. Për këtë hap morëm dhe miratimin e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve e cila solli dhe mjetet për pastrimin e dherave”, thotë Elezi. Ndërkohë, sipas Drejtorit Rajonal të ndërmarrjes së Rrugëve Kukës bëhet e ditur se atje janë dërguar 4 mjete të cilat kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme për largimin e dherave dhe inerteve. Një punë e tille sipas Rushit Gashit është kryer edhe gjatë natës së mbrëmshme ku fare pranë vendit ku sot rrëshqitën dherat u sistemua një tjetër sipërfaqe e skarpatës së rrugës e cila pezulloi për disa orë qarkullimin e lirshëm të automjeteve. Më të prekur në gjithë këtë situta janë shtetasit që udhëtojnë drejt Tropojës dhe drejtuesit e automjeteve.
Një shofer i cili bën rrugën Tiranë-Qafë Mali-Fierzë-Tropojë shprehet se tani i duhet të udhëtojë në akse të tjera të cilat janë shumë të gjata ose kanë një gjëndje shumë të vështirë infrasturkturore.” Po të nisem nga Hasi rruga atje është katastrofë fare. Ndërsa nga krahu tjetër është shumë gjatë. Të gjitha lekët që mbledh nga biletat më shkojnë vetëm naftë. Shpresojmë që atje të punohet e ne ti rikthehemi rrugës sonë pasi ndryshe do jemi keq” vijon më pas ai. Në këto rrethana udhëtarët e Tropojës nuk do të kenë mundësi udhëtimi në zonat e tjera te vendit. E vetmja mundësi që ata të udhëtojnë drejt Tiranës mbetet rruga nga Gjakova, Prizreni dhe Kukësi për të kaluar sërish nga Qafa e Malit, si dhe rruga nga Hasi e cila është e pa asfaltuar dhe shumë e dëmtuar në dhjetëra kilometra. Policia ka rekomanduar drejtuesit e automjeteve pikërisht të akseve të lartpërmendura të mos i drejtohen aksit Fierzë-Qafw Mali deri në momentin kur pjesa e shembur të pastrohet.
Kukës
Barinjtë e çajës dhe Bushtricës mes
katër rrugëve, askush nuk i ndihmon
Kukës - Që prej shumë ditësh një numër barinjsh të fshatrave të Kukësit, kryesisht të Bushtricës dhe Grykës çajës, ndodhen në vështirësi për shkak të vërshimit të ujërave në vendet ishin stacionuar bashkë me tufat e tyre të bagëtive. Të shqetësuar për tufat e deleve ata i kanë kërkuar ndihmë qeverisë dhe institucioneve shtetërorë të Kukësit por edhe njerëzve të tyre të fisit në fshatrat ku jetojnë. Sami Lashi nga Bushtrica, një nga barinjtë që mbarështon rreth 2 mijë dele thotë se, në bashkëpunim me njerëzit e familjes dhe me miqtë e vet ka mundur që të bëjë diçka për evakuimin e një pjese të tufës, por jo pa humbje. Ai sipas mundësive që i janë ofruar ka dërguar një pjesë të tufës në rrethinat e Durrësit ndërsa rreth 200 dele i ka nisur drejt Kukësit. “Pjesën e shëndoshë të tufës, ato që mund ti rezistojnë udhëtimit dhe klimës së ftohtë i kam nisur në Kukës me forcat e mia me disa kamionë të ardhur nga Bullgaria ndërsa një pjesë tjetër me ndihmën e disa miqve i kam dërguar në zonat e Durrësit. Jam shumë i shqetësuar sa i takon një pjese delesh që më kanë mbetur këtu në Malin e Jushit si dhe për 200 të tjerat që i dërgova në Bushtricë. Atje nuk kam as ushqim dhe kjo do ndikojë mjaft negativisht në ruajtjen e tyre. Të vetmit që më kanë premtuar ndihmë janë bashkë fshatarët e mi të cilët do heqin diçka nga vetja për të më ndihmuar mua. Nëse dimri acarohet dhe më tej kam frikë se shumë qengja do më ngordhin nga i ftohti apo dhe mungesa e ushqimit. Veç kësaj, edhe pse iu drejtova shtetit dhe organeve të pushtetit lokal në Kukës, askush nuk e vuri ujin në zjarr për mua. Ca veterinerë më sollën pak koncentrat por aq pak nuk më mjafton pasi të gjithë pjesën tjetër ma mori uji” tha Lashi me telefon nga Mali i Jushit. Ai ndodhet në malin e Jushit në zonat e Shkodrës me shumicën e tufës dhe në vështirësi. Ditë më parë ai ka pasur një ndihmë në bazë ushqimore për delet, përkatësisht një sasi koncentrati, por vërshimi i ujërave i ka marrë një numër qengjash të vegjël si dhe një pjesë të mirë të koncentrati.
Lashi ka pësuar humbje edhe në aspkete të tjera, i janë mbytur qentë e tufës disa kuaj si dhe një pjesë mirë e orendive të lëvizshme. Drejtoria e Bujqësisë e Kukësit, siç tregon drejtori Shefqet Elezi ka kontaktuar me drejtorinë e bujqësisë së Shkodrës nga ku kanë marrë premtimin se barinjtë e Kukësit do të ndihmohen. Edhe prefekti i Kukësit në linjën e vet ka siguruar gatishmërinë e Komisionit Ndërministror të emergjencës për të dhënë një ndihmë në ushqime për bagëtitë si dhe për të realizuar evakuimin sa më parë të jetë e mundur. Barinj të tjerë të Kukësit ndodhen në Bushat, në Torrovicë etj gjithashtu në vështirësi për të shpëtuar tufën e deleve. Ata të instruktuar nga pushtetarët e Kukësit janë spostuar në zonat ku ende uji nuk ka mbërritur por siç thonë, gjendja e tyre vjen duke u përkeqësuar pasi baza ushqimore është drejt përfundimit. Bariu tjetër Nezir Karanxha i cili është stabilizuar në Torrovicë tregon se si delet po i ngordhin pasi nuk ka para për ti evakuuar drejt Kukësit. “Nuk kemi lekë pasi dërgimi në Kukës kërkon një kosto të madhe financiare. Ne erdhëm këtu për ti ruajtur tufat e tani kemi dalë krejt të humbur. I lutem zotit që të kthej diçka në familje dhe të mos vij atje duarbosh. Edhe dy vëllezërit e mi,Afrimi dhe Gazmeni të njëjtën gjendje kanë” vijon më tej ai.
Pesë barinjtë kuksian, në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës, shtegtuan tufat e tyre të cilat kapin shifrën e 5 mijë e 5 qind ndërsa disa të tjerë i dërguan ato në Durrës ku numri I tyre shkon në 4.5 qind krerë. Largimi i tyre u bë në muajin Tetor dhe kthimi zakonisht ndodh në muajin Prill. Por këtë vit duket se ata do dalin krejtësisht të humbur dhe pa asnjë lloj fitimi.