Bode: Ndërtimet u prishën sipas projektit të BB-së
Çështja e "Jalit" është kthyer sërish dje objekt debati në sallën e Kuvendit. Këtë herë, ka qenë deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, i cili ka akuzuar Kryeministrin dhe familjen e tij për lidhje me projektin e Bankës Botërore në prishjen e ndërtimeve në këtë zonë, duke iu marrë pronat pronarëve. Neranxi ka rreshtuar më pas një sërë akuzash ndaj qeverisë dhe familjes së Kryeministrit, duke kërkuar nga ai një përgjigje konkrete. Kjo përgjigje nuk i ka ardhur nga kreu i qeverisë, por nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Duke mbrojtur familjen e Kryeministrit dhe qeverinë, Bode theksoi se "prishja e ndërtimeve pa leje në bregdetin e Jugut është bërë në dakortësi dhe me kërkesën e autoriteteve të Bankës dhe nuk ka qenë nismë e asnjë individi". Më tej, ai shpjegoi se qeveria shqiptare në Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut ka përcaktuar kriteret ligjore, ku nuk mund të ndërtohet. Kriteret që ka përcaktuar kjo qeveri, theksoi ministri, janë të ndryshme me kriteret e përcaktuara nga qeverisja e mëparshme, e cila kishte vendosur njolla ndërtimi. Bode u shpreh se do të jenë autoritetet lokale, të cilat do të përcaktojnë mënyrat e ndërtimit dhe që do të japin lejet e ndërtimit. Sipas tij, "Banka Botërore do të shqyrtojë më datën 17 shkurt, raportin për Planin e Zhvillimit të Bregdetit të Jugut dhe jam i sigurt se deklarata e kësaj Banke do të jetë krejt e kundërta e asaj që ju pretendoni".