Rama: Do të rikthejmë besimin te qytetarët
Shqipëria Evropiane është një ëndërr e vjetër shqiptare. Me këtë konstatim, u paraqit dje para simpatizantëve të qytetit të Laçit lideri i opozitës, Edi Rama. "Është vizioni i hershëm i mendjendriturve të këtij vendi që u përcillet gjeneratave. Është e ardhmja e sakrifikuar në udhëkryqe e kthesa të zymta historike", theksoi Rama. Sipas tij, Shqipëria si gjithë Evropa, është amaneti që kemi në dorën tonë. Të gjithë ne këtu, së bashku, do ta çojmë në vend këtë amanet. "Do t‘i hapim rrugën ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e interesave dhe kulisave bizantine", u shpreh Rama. Kreu i socialistëve vlerësoi se sot, besimi ka hyrë në krizën e vet më të thellë bashkë me Shqipërinë e tradhtuar të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. "Ju nuk keni frikë të besoni sot se ëndrra e Shqipërisë, se gjithë Evropa është e mundur, se ky vend mund të bëhet si të tjerët, se këtu, në këtë vend, mund të bëhen të mundura ato që prej 18 vjetësh politika e vjetër e interesave të vogla personale në pushtet e për pushtet na i ka bërë të pamundura", nënvizoi Rama. Ai këmbënguli se është koha që asnjëri të mos gabojë, duke ua lënë politikën politikanëve dhe duke menduar se shpëtimi prej së keqes në politikë është të qëndruarit larg nga politika. "Kush thotë s‘merrem me politikë bën një gabim fatal, sepse harron që politika merret me të. Në sa më pak duar ta lëmë aq më shumë dëme mund të na ndodhin prej politikës që merret përditë me ne, duke bërë ligje e marrë vendime të këqija për jetën tonë, duke bërë sikur na dëgjon e duke vepruar pa na dëgjuar", vijoi Rama. Ne, premtoi ai, do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët kombëtare dhe nga mbeturinat urbane që janë bërë kartëvizita turpëruese e atdheut tonë në sytë e të huajve dhe shembulli më i keq që ju japim fëmijëve tanë. "Sepse s‘mund të ketë një Shqipëri, kur shtëpitë dhe apartamentet e secilit prej nesh janë pasqyrë e pastërtisë dhe një Shqipëri, ku shtëpia e përbashkët e atdheut tonë, është pasqyrë e papastërtisë", argumentoi Rama.