E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Zyrtarët e ministrisë favorizuan ‘Delijorgjin‘

Prokuroria e Përgjithshme analizoi dje dëshmitë e të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën. Janë krahasuar dëshmitë e ish-zyrtarëve të Ministrisë të Mbrojtjes dhe gjeneralëve të ushtrisë. Mësohet se të pandehurit ia kanë hedhur fajin njëri-tjetrit. Nga analiza e fakteve ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë favorizuar subjektet private për demontimin e municioneve në fshatin Gërdec, në periferi të Tiranës. "Krahas akuzës së shpërdorimit të detyrës, mbi zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes rëndon edhe akuza e favorizimit të subjekteve private për demontimin e municioneve", thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, vartësit e Mediut shmangën Forcat e Armatosura për interesa të veçanta. Ndërkaq, dje, është njohur me akuzën e shpërdorimit të detyrës, Dashnor Çaushi. Së bashku me avokatin e tij, Mark Pëllumbi, Çaushi është njohur me zhvillimet e fundit në prokurori, ku ka marrë statusin e të pandehurit për ngjarjen e 15 marsit në vitin 2008. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se të pandehur për tragjedinë e Gërdecit janë 40 persona, midis të cilëve ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, gjeneralë dhe punonjës në ministri. Ushtarakët kanë mbi supe akuzën e "shpërdorimit të detyrës nga ushtaraku". "Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve, në kundërshtim me ligjin apo me përmbushjen e rregullt të detyrës nga kuadri komandues, kur i kanë sjellë pasoja të rënda shtetit ose interesave të ligjshme të shtetasve, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose burgim deri në dhjetë vjet", thuhet në Kodin Penal Ushtarak.

Mësohet se persona të tjerë do të paraqiten në prokurori për t‘u njohur me akuzën. Mes tyre janë këshilltarë ligjorë të ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe funksionarë të tjerë në këtë ministri që kanë pasur ose kanë ndihmuar për ndërtimin e fabrikës. Nuk përjashtohet se midis të pandehurve të ketë edhe persona që kanë pasur dijeni për ndërtimin e fabrikës. Ata mund të akuzohen për moskallëzim krimi. Statusi i të pandehurit do të jetë edhe për rangun e dytë të ushtarakëve, kolonelëve dhe personave të tjerë ushtarakë që kanë ndihmuar shoqërinë "Albademil" për ta furnizuar me municione.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›