Mediu: Prokuroria kërkon të lajë duart me Gërdecin
Pas akuzës për shpërdorim detyre, ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, ka vendosur të thyejë heshtjen. Nga foltorja e Kuvendit, kreu republikan, tashmë pa imunitet dhe nën hetim, nuk i ka kursyer akuzat ndaj organit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke theksuar se ajo po kërkon të lajë duart nga tragjedia e Gërdecit me hetimin e 20 personave. Duke u ndalur te vendimi i dy ditëve më parë i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila komunikoi akuzat ndaj tij dhe disa ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, për tragjedinë e "Gërdeci", ai tha se "nëse prokuroria kthehet në instrument të politikës, kjo, jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme". Në fjalën e tij, që ka zgjatur me shumë se pesë minuta që ia lejon diskutimi lirë në Kuvend, ai ka bërë një përmbledhje të rrjedhës së ngjarjeve të ndodhura prej një viti. Mediu theksoi se ai, prej më se një viti, ka kërkuar të pyetet nga Prokuroria e Përgjithshme për të zbardhur të vërtetën, por asnjëherë gjatë kësaj kohe, nuk ka marrë përgjigje. "Dje, prokuroria, më akuzoi për bashkëpunim me ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes. Prokuroria më akuzoi se kam vepruar në bazë të interesave të mia personale. Dje, prokuroria më akuzoi se nuk kam respektuar MSA-në", është shprehur ish-ministri i Mbrojtjes, duke theksuar se kjo ministri ka nisur demontimin e municioneve të tepërta pasi është kërkuar nga MSA-ja. Duke mos qenë dakord me procedurat e punës së ndjekur nga organi i akuzës, Mediu theksoi se gjatë gjithë këtyre kohëve, ka duruar akuzat e ngritura ndaj tij, për respekt të viktimave të tragjedisë, por shtoi se është i vendosur që të gjejë përgjegjësit e vërtetë të tragjedisë. Më tej, Mediu theksoi se "ky akt i organit të akuzës nuk ishte i papritur për mua, sepse veprimet e ndërmarra nga ky institucion, që nga kërkesa për heqjen e imunitetit si deputet, ishin tendencioze dhe kanë pasur vetëm një qëllim, dërgimin e kësaj çështjeje në gjykatë. Pavarësisht nga e vërteta dhe përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit, prokuroria kërkon vetëm të lajë duart, duke çuar më shumë se 20 zyrtarë të kësaj ministrie në dyert e gjykatës". Mediu ka këmbëngulur në idenë e tij se synon që të zbardhet e vërteta e Gërdecit dhe në shenjë të përgjegjësisë morale dha dhe dorëheqjen nga ky post. Ai mohon të ketë pasur përgjegjësi ligjore për tragjedinë më të rëndë që goditi në këto vitet e fundit Shqipërinë. Duke mos i kursyer akuzat ndaj prokurorisë, ish-ministri deklaroi se mënyra se si u ndërtua procesi, "kuptohej se ishte një proces i motivuar politikisht". Në këtë drejtim, ish-kreu i Ministrisë së Mbrojtjes kërkoi që "ky proces të mos shndërrohet në një farsë dhe gjykata ta gjykojë këtë çështje me ndershmëri edhe në emër të atyre viktimave". Më tej, deputeti republikan u ka shpjeguar deputetëve të Kuvendit se ai si person nuk kishte asnjë përfitim vetjak nga fabrika e çmontimit të armëve në Gërdec. "Prokuroria më akuzoi se kam mbrojtur një kompani shqiptare, më pas një amerikane, të quajtur SAC. Më akuzuan se kam bashkëpunuar me Delijorgjin. Unë them se kam bërë demontimin në bazë të ligjit. Dje, prokuroria më akuzoi se nuk kam zbatuar MSA sa i përket demontimit të armëve. Bashkë me mua dhe 20 ushtarakë, pra gjithë ministrinë. Ndërsa mua si ministër më quan përgjegjës që nuk kam dijeni për sigurinë demontimit të armëve, fabrikën, pse u zgjodh Gërdeci, si bëhej transportimi i armëve. Por ja ku deklaroj se kam zbatuar gjithçka thënë nga MSA-ja në këtë drejtim dhe nuk pranoj asnjë akuzë tendencioze. Theksoj se s‘kam pasur asnjë përfitim vetjak", është shprehur ish-ministri Mediu. Ai vuri në dukje para parlamentarëve se ka pohuar vazhdimisht si ministër në detyrë për rrezikun që i kanoset sigurisë së vendit nga municionet, por duke theksuar se ngjarja e Gërdecit ishte totalisht e paparashikueshme dhe për këtë, u ka kujtuar kolegëve të tij deputetë tragjeditë e ndodhura në Dhëmblan, Qafë Shtam, Gramsh e Poliça.