Bode: “Ndryshimi i ligjit të akcizës sjell transparencë
Kuvendi ka debatuar gjatë seancës së tij të fundit rreth ndryshimeve në ligjin "Për akcizat", të cilat parashikojnë fiksimin e masës së akcizës për karburantet në 37 lekë. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, ndërmarrja e këtij ndryshimi reflekton një nevojë për të krijuar transparencë dhe konkurrencë në tregun e karburanteve. Lidhur me këtë, Bode sqaroi se pas privatizimit të ARMO-s, e cila përdor produktet e saj në varësi të interesit, lindi nevoja të ketë një pagesë unike të nivelit të taksave. "Akciza për prodhimet e ARMO-s kishte një nivel diskriminues dhe duke pasur parasysh edhe kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve, u hartua edhe projektligji për vendosjen e një mase fikse akcize për karburantet",- tha Bode. Ndërkohë, opozita e kundërshtoi projektligjin, pasi sipas saj, rritja e masës së akcizës do të çojë në rritjen e çmimit të karburanteve për konsumatorët shqiptarë dhe konkretisht për fermerët. Me çmimet ekzistuese në tregun botëror të karburanteve impakti në buxhet, nga rishikimi i masës së akcizës, për vitin 2009 përllogaritet të jetë rreth 1.5 miliardë lekë.
5 Shkurt 2009