E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e akcizave për vitin 2009, shteti arkëton 2 miliardë lekë më shumë

Nga akciza këtë vit do të mblidhen rreth 44 miliardë lekë. Pesha e akcizës ndaj PBB-së do të rritet në 3.8 për qind

Ervin Koçi

Rritja e akcizës nga ana e qeverisë këtë vit për mallrat e luksit pritet që t’i shtojë buxhetit të shtetit një sasi të konsiderueshme të ardhurash plus nga taksat doganore. Por kjo gjë do t’u shtojë edhe konsumatorëve shqiptarë më tepër shpenzime, pasi rritja e artikujve që preken nga rritja e akcizave rëndon në xhepat e tyre. Mallrat që preken direkt nga këto rritje janë kryesisht artikujt e luksit (artikujt më të shtrenjtë), si cigaret, kafeja, pijet alkoolike, kozmetika, bizhutë dhe hidrokarburet. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, barra që duhet të paguajnë vetëm importuesit e naftës për çdo litër karburant gjatë këtij viti do të sjellë 2 miliardë lekë shtesë në arkën e shtetit. Ekspertët e ekonomisë kanë parashikuar se rritja e peshës së akcizës ndaj PBB-së do të arrijë në 3.8 për qind në vitin 2009. Ky nivel do të jetë i qëndrueshëm edhe gjatë viteve në vijim, ku nga 3.5 për qind e PBB-së, që ishte parashikuar në buxhetin suplementar të vitit 2008, ajo do të rritet më tej gjatë këtij viti (2009) dhe kështu në vazhdim. Vetë ekspertët e ekonomisë e kanë bazuar parashikimin e tyre në disa skenarë për realizimin e këtyre shifrave. Mes tyre është trendi historik i realizimit të të ardhurave nga akciza, aspektet makroekonomike, siç është rritja ekonomike 6.3 për qind, si dhe një normë konstante inflacioni përgjatë periudhës prej 3 përqindësh. Gjithashtu, një shtysë për këtë parashikim të realizimit të të ardhurave nga akciza është edhe përmirësimi administrativ dhe ndryshimi i normave të akcizës, që parashikohen të jetë rreth 8 për qind në vitin 2009. Kjo për shkak të harmonizimit të shkallës tatimore të akcizave për vitin 2009 sipas produkteve dhe niveleve të tyre të prodhimit vjetor sipas standardeve të BE-së.

Akciza

Parashikimi i të ardhurave nga akciza për vitin 2009 do të jetë rreth 44 miliardë lekë, me një rritje vjetore 25 për qind, ose 3.8 për qind e PBB-së. Ndryshe nga taksat e tjera, nga akcizat qeveria parashikon një rritje të lehtë në raport me PBB-në, deri me 4 për qind. Niveli i kësaj takse, e cila aplikohet për mallrat e konsumit që vijnë nga importi (pije alkoolike, cigare, kafe, naftë) do të jetë objekt i ndryshimeve nga Ministria e Financave. Masa e ndryshimeve dhe artikujt që preken nuk janë bërë ende të ditura. Megjithatë, qeveria ka planifikuar rritjen e akcizës për naftën me 37 lekë litri. Sa i takon rritjes vjetore, akcizat do të kenë shënjestër 12 për qind rritje. "Edhe pse ndryshimi i politikave nuk është përfshirë në parashikim, në vitet që vijnë normat e akcizave për disa nga mallrat e forta pritet të harmonizohen me strukturën e akcizave në legjislacionin e harmonizuar të Bashkimit Europian", - sqaron Ministria e Financave. Mallrat e akcizës mund të dalin nga një magazinë tatimore pa pagesën e akcizës, vetëm në rastet kur ato janë të destinuara për eksport, kur janë për t’u dërguar në një magazinë tjetër tatimore të miratuar. Po kështu parashikohet lehtësira edhe për rastet kur janë furnizime për anije apo avionë, si artikuj të shitjes me pakicë për pasagjerët, me kushtin që këto anije apo avionë ndalesën e parë ta kenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Zhdoganimet

Në asnjë rast, edhe pse është vënë re një rritje e çmimit të naftës, nuk është vënë re një ulje drastike e konsumit, apo e zhdoganimeve. Përkundrazi, gjatë vitit që lamë pas (2008) është evidentuar një rritje të ndjeshme të importeve të karburanteve nga doganat shqiptare, të cilat e kanë paraqitur edhe në raportet më të fundit. “Administrata doganore ka zhdoganuar rreth 15 mijë tonë karburant më shumë se një vit më parë, e cila përbën 4 deri në 4.5 për qind rritje në krahasim me vitin 2007”, - janë shprehur drejtues të Doganave. Masa e marrë nga Ministria e Financave për të mbajtur akcizën e naftës në 37 lekë, sipas drejtuesve të Doganës, nuk do të ndikojë në çmim. “Kjo është një masë stabilizimi. Kjo ndërhyrje, që është bërë në paketën fiskale, e cila akoma nuk është bërë efektive, nuk ka tregues që ka ndikuar në treg”, - ka thënë pak ditë më parë kreu i Doganave, Përparim Dervishi.

Të ardhurat doganore do të bien gjatë dy viteve në vazhdim

Më pak optimist është trendi i realizmit të taksave doganore. Për shkak të reduktimit të niveleve të tarifave doganore do të vazhdojë rënia e të ardhurave edhe për vitin 2009. Zbatimi i Marrëveshjeve të Ndërmjetme të Tregtisë së Lirë me OBT-në, CEFTA, MTL me Turqinë, deri në 2011-n do të bëjë që në vitin 2009 të arrihet vetëm një nivel prej rreth 6.1 miliardë lekësh, të ardhura nga këto taksa, krahasuar me 9.4 miliardë lekë në 2008-n.
Buxheti i shtetit humbet miliarda lekë çdo vit nga reduktimi i tarifave, ndërsa tregtia e jashtme po e thellon akoma e më shumë deficitin. Reduktimet e këtyre tarifave me OBT-në do të jenë deri në vitin 2009 dhe reduktimet thelbësore të MTL-së me BE-në, CEFTA-n dhe me Turqinë do të jenë më drastike deri në 2011-n. Kështu, për vitin 2009 janë parashikuar të mblidhen 6 miliardë lekë, ose 35 për qind më pak se parashikimi për vitin 2008. Për periudhën 2010-2011 parashikimet janë respektivisht 5.6 miliardë lekë, 6 miliardë lekë.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›