E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e normës së interesit, përfitues vetëm individët që marrin kredi në lekë



Nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit të lekut me 0.5 për qind do të përfitojnë vetëm ata individë që do të marrin kredi në lekë, ose ata kredimarrës që kanë lënë kontratën të rinegociueshme. Ekspertët e bankave të nivelit të dytë shprehen se kreditë e reja do të jenë me kosto më të ulët, ndërsa ata që i kanë nënshkruar kontratat me norma fikse, të pandryshuara, nuk do të ndiejnë efekt nga ky vendim. Sipas tyre, “kontratat e kredisë që janë fleksibël rishikohen një herë në tre muaj ose një herë në vit”. Kjo do të thotë që këto lloj kredish do të indeksohen me çmimin aktual të bonove të thesarit, norma e të cilave tashmë është 0.5 për qind më e lirë. Ky vendim, sipas ekspertëve, do të stimulojë dhënien e kredive të reja në lekë. Ditët e fundit është vënë re një zhvlerësim i lekut në këmbimin me valutat e huaja, kryesisht me euron. Monedha europiane këmbehet me 126 lekë. Kjo do të thotë që shqiptarët që paguajnë këstin e kredive në euro do të pësojnë një rritje të lehtë, duke i bërë ato më të shtrenjta. Për analistët e kredive në bankat private, “forcimi aktual i euros do të korrigjohet në muajt në vazhdim, pasi nuk ka asnjë sinjal që monedha europiane të forcohet më tej”. Ata thonë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e dominimit të kërkesës dhe mungesës së euros në treg, situatë qw ndodh në çdo fillimviti. Ajo çka po vërehet në tregun tonë bankar është një stepje e dhënies së kredisë në euro. Kjo për shkak të mungesës së kësaj valute si pasojw e krizës ndërkombëtare.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›