Prezantohet Zyra e Komisionerit për të Dhënat Personale
Tiranë - Veprimtaria e institucionit më të ri në Shqipëri, Zyra e Komisionerit “Për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale”, u prezantua dje gjatë një konference, organizuar nën kujdesin e Këshillit të Europës, në Hotel Tirana International.
Në konferencë, ku merrnin pjesë zëvendëskryeministri Genc Pollo, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Borsh etj., u prezantua veprimtaria e ardhshme e institucionit si dhe ligji "Për mbrojtjen e të dhënave personale”, miratuar më 10.03.2008 nga Kuvendi. Ky ligj ka si objekt përcaktimin e rregullave për mbrojtjen dhe përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale, duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private. Zv/kryeministri Genc Pollo vlerësoi hapin e hedhur nga qeveria shqiptare për krijimin e Zyrës dhe vlerësoi faktin që institucione të ndryshme kanë nisur të hedhin të dhënat në një data-base, si ministri të ndryshme, institucione financiare, taksave, të dhënat për personat e penalizuar etj. Ai vlerësoi që me sistemet HT krijohet mundësia që një zyrë e pavarur të mbikëqyrë të gjithë këtë veprimtari, të ketë të drejtën e kontrollit si dhe kompetencën e sugjerimit për plotësimin e bazës ligjore, të praktikave të punës, përmirësimin e politikave etj. Komisionerja drejtuese e Zyrës, Flora Çabej, theksoi rëndësinë që ka ngritja e institucionit. "Ngritja e Zyrës së Komisionerit do të japë kontribut thelbësor në përmbushjen e qëllimeve, objektivave dhe strategjive, në respektim të të drejtave të njeriut dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian". Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Këshilli i Europës dhe ekspertët e tij kanë treguar interes të vazhdueshëm dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre institucionale për miratimin e ligjit. Për hartimin e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe funksionimit të Zyrës së Komisionerit, kontribut të rëndësishëm ka dhënë dhe Ministria e Drejtësisë. Ministri Alibeaj theksoi se “Ministria e Drejtësisë ka qenë autoriteti kryesor i ngarkuar me këtë proces të gjatë dhe procedura e hartimit të këtij ligji duhet të jetë shembull që duhet ndjekur. Me miratimin e këtij ligji dhe krijimin e Institucionit të Komisionerit është bërë i mundur plotësimi i një prej kushteve të MSA-së". Ndërsa sipas ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, “mbrojtja e të drejtës së privatësisë është e drejtë e çdo qytetarit, prandaj dhe Shqipëria ka ratifikuar Konventën e të dhënave personale”.
5 Shkurt 2009