Kongresmeni Engel garanton mbështetjen e administratës “Obama”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA me rastin e marrjes pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, është takuar dje me kongresmenin Eliot Engel, një nga mbrojtësit më të shquar të Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare. Gjatë bisedës kongresmeni Engel ka vlerësuar arritjet e qeverisë “Berisha” në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE. Engel e ka garantuar kryeministrin Berisha për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re “Obama” me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare. Ndërsa kryeministri Berisha, nga ana e tij, e ka informuar kongresmenin me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Ai e njohu kongresmenin Engel me hapat e bërë për sigurimin e një regjistri elektronik të popullsisë, shtypjen e kartave të reja të identitetit e pasaportave biometrike etj., elemente që garantojnë votime të ndershme.
Berisha në krah të Mediut gjatë vizitës në SHBA
Gjatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri Berisha ka marrë si shoqërues ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për tragjedinë e Gërdecit. Megjithatë, Berisha e Mediu kanë marrë pjesë bashkë në një sërë takimesh që kryeministri ka zhvilluar me kongresmenë amerikanë. Berisha ka marrë pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, mes të cilëve ish-kandidati presidencial, senatori Sam Brownback nga Kansas, senatorët John Thune nga Dakota e Jugut, Jim DeMint nga Karolina e Jugut, John Ensign nga Nevada etj. Gjatë kësaj darke një vend të veçantë iu kushtua Shqipërisë dhe reformave qeveritare. Në bashkëbisedimin e tij me senatorë dhe kongresmenë, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij. Berisha i njohu bashkëbiseduesit edhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke garantuar dhe deklaruar vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. Nga ana e tyre, senatorët garantuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
5 Shkurt 2009