E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Nëse shqiptarët votojnë PD-në, do të rrisim rrogat prapë në shtator”

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Financave, Ritvan Bode, deklaroi se "buxheti i vitit 2009 jep një garanci maksimale se nuk do të krijohen probleme që mund të çojnë në një destabilizim të mundshëm të financave publike, edhe pse është një vit elektoral". Bode u shpreh para anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesve të medias se "buxheti i vitit 2009 përbën një stacion mjaft të rëndësishëm në konsolidimin e financave publike në tërësi". "Meqenëse ky është buxheti i një viti electoral, ne jemi treguar më të matur në programimin e të ardhurave. Nëse ritmi i rritjes së të ardhurave nga viti në vit ka qenë të paktën 15 për qind, në vitin 2009 ne kemi programuar një rritje prej 10-11 për qind të të ardhurave të buxhetit. Pra, me qëllim kemi ecur me një marsh më të lartë sigurie nga pikëpamja e të ardhurave", - tha ministri. Sipas tij, "kjo mund të sjellë tejkalime të qenësishme në buxhet dhe ndoshta në 6-mujorin e dytë të vitit 2009, në se shqiptarët do të votojnë përsëri këtë mazhorancë, do të krijohet mundësia për të bërë një buxhet suplementar ku do të rialokohen këto fonde". Ministri i Financave theksoi gjithashtu se "buxheti 2009, mbështet në mënyrë të qenësishme investimet publike dhe investimet në infrastrukturë". "Buxheti mundëson edhe dy reforma shumë të rëndësishme: krijimin e autonomisë së shkollave të larta, duke kaluar në mënyrën e financimit në formë granti për universitetet si dhe hapin e parë të një reforme të thellë shëndetësore, duke kaluar financimin e shërbimit në spitale, përmes Institutit të Kujdesit Shëndetësor", - tha Bode.
Ky lajm është publikuar: 01/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›