E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bode: Nuk do ta votojmë kredinë për tregun elektrik

30/05/2005  Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ritvan Bode, tha dje se treni elektrik mund të jepet me koncension, dhe jo duke marrë një kredi me norma interesi kaq të larta. “Mbetem i habitur se, si kryeministri shqiptar Fatos Nano, i vendosur në pazaret e tij, do të realizojë në momentet e largimit të tij nga karrigia kryeministrore, atë që ka premtuar apo deklaruar dikur”, tha Bode. Në vend të kredisë prej 95 milion dollarësh dhe me interesa 45 milion dollarë të tjera, demokratët sugjerojnë dhënien me konçesion të hekurudhës. “Investimet që do të bëhen në Shqipëri, duhet të jenë brenda një skeme prioritetesh. Ato që janë për konçesione, duhet nxitur për t'u futur në këtë skemë. Dhe mendoj që një hekurudhë e tillë mund të ishte në skemën e konçesioneve dhe jo në skemën e investimeve publike të financuara me një kosto kaq të lartë”, tha Bode. Kundër marrjes së kredisë në prag të zgjedhjeve, është shprehur dhe kandidati për deputet i PD-së, Gramoz Pashko. Sipas tij, në asnjë shtet të botës nuk mund të merret kredi pa u miratuar më parë në parlament. “Çdo vend serioz i botës, kur shteti merr një kredi të tillë, duhet patjetër ti miratojë në organin më të madh ligjvënës. Sepse vjen një qeveri tjetër e cila menjëherë anullon kredinë dhe humbet kredibiliteti i këtij vendi. Pra, duhet bërë krejtësisht transparente marrja e kësaj kredie, dhe të bëhet transparente dhe efiçensa e saj. Çfarë do të sjellë ajo, ç'përmirësim do të sjellë jo vetëm në shërbimin, por dhe me çfarë do të paguhet", tha Pashko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›