E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mediu: Berisha është kryeministri

30/05/2005  "Socialistët në këto 8 vjet, po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë në strukturat Evropiane dhe NATO"

Berisha i bën thirrje elektoratit të votojnë PR në sistemin proporcional

Nën slloganin, “Atdheu fillon nga familja jote", Partia Republikane, ka prezantuar 100 kandidatët e saj për deputet. PR, synon të fitojë nga lista e proporcionalit, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi, në marrëveshjen me PD-në, ka pranuar vetëm tri zona të lira. Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, i bëri thirrje pjesëmarrësve në këtë tubim, të mbështesin kryeministrin e shpallur të opozitës, në rast se fiton zgjedhjet, Sali Berisha. “Unë ju ftoj që në listën e kandidatëve të mazhoritarit, të votoni kandidatët e Partisë Demokratike dhe të mbështesni fuqimisht, kryeministrin e ardhshëm, Sali Berisha”, tha Mediu. Në këtë mënyrë, aleatët e PD-së e kanë pranuar kreun e Selisë Blu, si drejtuesin e qeverisë së ardhshme, në rast se opozita fiton zgjedhjet. Nga ana tjetër, Berisha i bëri thirrje elektoratit demokrat, të votojë në mazhoritar për kandidatët e PD-së, ndërsa në proporcional kandidatët e PR-së dhe të aleatëve të tjerë. Nga shifra e përgjithshme prej 100 kandidatësh të përzgjedhur nga republikanët, 33 prej tyre janë anëtarë të PD-së ose dhe anëtarë të Komitetitit të Orientimit të Polikave. Prezantimin e djeshëm, e përshëndeti edhe presidenti i Nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, i cili tha se, mbështetja për të djathtën, është mbështetja për ndryshimin e vendit.

Mediu

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u tregua i ashpër në fjalën e tij ndaj maxhorancës socialiste dhe kryeministrit Nano. Sipas tij, socialistët nuk e duan integrimin e vendit në BE dhe NATO pasi këto struktura, nuk mund ta pranojnë krimin e organizuar dhe trafiqet. “Socialistët në këto 8 vjet, po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë në strukturat Evropiane dhe NATO. Jo sepse këto struktura nuk duan t’i pranojnë shqiptarët në gjirin e tyre, por këto struktura nuk mund të pranojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Frenimi i këtyre fenomeneve, bie ndesh me interesat e Fatos Nanos dhe klanit të tij, i cili pasurohet çdo ditë, pikërisht, në sajë të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në kurriz të integrimit të shqiptarëve“, tha Mediu. Në fjalën e tij, kreu i PR-së, i bëri thirrje elektoratit republikan, të mbështesin kryeministrin e deklaruar të opozitës, z. Sali Berisha.

Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, tha gjatë përshëndetjes së tij se, mbështetja që po gëzon sot opozita në elektorat, është përgjegjësi për mbajtjen e premtimeve, në rast se koalicioni opozitar fiton zgjedhjet. Duke e konsideruar aleancën me PR-në si më të frytshmen e bërë ndonjëherë nga PD, Berisha ftoi elektoratin demokrat që të votojë për PR-në dhe aleatët në sistemin proporcional. “Unë i ftoj të gjithë demokratët e Shqipërisë dhe të gjithë ata që duan ndryshimin, që të votojnë për Partinë Republikane dhe aleatët e PD-së në listën shumëemërore”, tha Berisha. Sipas tij, republikanët do të jenë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të qeverisjes së PD- së, në rast se fiton zgjedhjet. Në fjalën e tij, kreu demokrat përsëriti dhe një herë premtimet për hapjen e vendeve të punës, strehimin, uljen e taksave, integrimin në Evropë, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›