E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshon skema e fushatës elektorale të PD

30/05/2005  Berisha nis takimet me zgjedhësit në lagje

Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë skemën e fushatës elektorale. Këtë vit, duket se dhe kreu i PD do të zhvillojë takime në terren, pa përjashtuar mitingjet. Sali Berisha zhvilloi dje një takim të paparalajmëruar me tregtarë dhe biznesmenë, në rrugën "Myslym Shyri" dhe "Tregun çam". Larg mitingjeve apo sallave ku mbahen fjalime, Berisha ka biseduar me tregtarët e kësaj zone, duke u premtuar atyre edhe njëherë uljen e taskave si dhe lehtësira të tjera për zhvillimin e biznesit. Kreu demokrat në fjalën e tij akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe moskërkesë llogarie për ndotjen e ambjentit”. Ndërtuesit kanë një normë aq të ulët fitimi, sa nuk u leverdis e nuk mundin të vendosin mbrojtje, sepse atë që do të shpenzojnë për mbrojtje, ia paguajnë kryetarit të bashkisë, 32 euro për metër katror. Me këtë ndotje të jashtëzakonshme që i ka krijuar ambientit, me këtë ryshfet të madh që ka vendosur mbi ndërtuesit, ka stisur tani slloganin”, tha Berisha. Kreu demokrat, në fjalën e tij ripërsëriti edhe një herë premtimin për përgjysmimin e taksave dhe lehtësirat për bizneset e reja. “Ne kemi vendosur, që sapo të vijmë në pushtet, qeveria ndër vendimet e para, do të ketë përgjysmimin e të gjitha taksave të bisnesit të vogël, taksave lokale dhe taksave jo lokale. Unë kam diskutuar për këtë me përfaqësues të FMN-së, dhe ua kam bërë të qartë që, ky vendim nuk mund të presë vitin buxhetor, mbasi situata është tejet e rënduar. Ky presion i madh që ushtrohet mbi tregun, presion nga monopolet, bashkitë, qeveria, në fakt, aty vetëm liri është e vështirë të gjesh”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›