PR-PD shkëmbejnë kandidatët
30/05/2005 Nga 100 emrat e përzgjedhur të PR-së për të kandiduar në listën shumëemërore, 33 prej tyre, janë emra që figurojnë si anëtarë të Partisë Demokratike ose anëtarë të KOP. Emra të tillë si, Fredi Olli, Flamur Shehu, Besnik Bisha, anëtar i KOP, deputeti i PD-së, Bardhyl Londo apo dhe ish-ballisti, Alfred Cako, janë regjistruar si kandidatë të PR-së dhe do të garojnë për listën e proporcionalit. Kryetari i PD-së, Berisha, pak ditë më parë, tha se kjo është një skemë që përdoret brenda koalicionit. Pra, ashtu si PD-ja i la zona të lira PR-së për kandidatët e saj, ashtu edhe republikanët i japin hapësirë demokratëve, për të kandiduar nën siglën e tyre në zona të ndryshme. Gjithsesi, burime në PD shprehen se, kjo skemë është përdoruar për të shmangur edhe qejfmbetjet e deputetëve të ndryshëm që mbetën jashtë listës së mazhoritarit, të hartuar nga demokratët. E njëjta skemë është përdorur dhe për partitë e tjera aleate, pasi vetë PD-ja, pritet të mos përfitojë shumë deputetë nga lista e saj shumëemërore. Kështu, në listën e proporcionalit të PBL-së bën pjesë Luan Malltezi, i cili mori mandatin e deputetit të PD-së, pas dorëzimit të mandatit nga Robert Çeku, i cili mori postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.