E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Organizimi i ri i PD për zgjedhjet

Kryesia e Partisë Demokratike ka diskutuar dje mbi mënyrën e organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë dhe në rrethe. 20 anëtarët e kryesisë kanë firmosur gjithashtu edhe një draft mbi mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet brenda PD-së. Mbledhja është zhvilluar në orët e mbasdites dhe ka pasur në qendër të saj

ndryshimet që do të bëhen në strukturën e Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009. Nuk do të ketë më nëndegë të PD-së, punën e të cilëve do ta bëjnë vetëm kryetarët e degëve. Kryesia ka vendosur që të jenë gjithsej 12 persona që do të drejtojnë partinë në 12 qarqe të vendit. Pas përfundimit të mbledhjes, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, ka bërë me dije se zgjedhjet në kryeqytet do të bëhen pas 3-4 muajsh, ku sipas statusit të partisë kanë të drejtë kandidimi të gjithë ata persona që pretendojnë se gëzojnë mbështetjen e kryesisë demokrate dhe Këshillit Kombëtar. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës, duke kërkuar përzgjedhjen më të mirë të kandidatëve për 12 qarqet e vendit, nga të cilët do të vijë edhe propozimi për listat e deputetëve në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009.

Ndonëse për Tiranën, zgjedhjet brenda PD-së do të zhvillohen vitin tjetër, gara aktualisht është tepër e nxehtë, pasi kandidatët për drejtimin e kryeqytetit tashmë i janë futur fushatës për të siguruar fitoren.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›