Kreu i PS-së, dialog me qytetarët për arsimin
Kreu i Partisë Socialiste Shqiptare, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me arsimtarë, intelektualë dhe qytetarë të Qarkut të Fierit. Qëllimi i takimit të kreut të PSSH-së ka qenë mbledhja e mendimit qytetar dhe specialistëve të arsimit për një strategji të ardhshme të këtij sektori. Rama ka thënë përpara arsimtarëve dhe intelektualëve të Fierit se duhet hequr TVSH-ja për shkollat jopublike, pasi familjet që kanë fëmijë në këto shkolla i paguajnë dy herë ato, edhe si taksa shteti edhe si detyrim për shkollë private. "Ka njerëz që punojnë në sektorin publik dhe sektorin privat, ndërkohë që sot kemi një qeveri, e cila nuk kupton, e jo më pastaj të bashkëpunojë e të bashkërendojë me idenë se sistemi publik dhe sistemi privat nuk janë dy sisteme në luftë me njëri-tjetrin, por janë dy sisteme që plotësojnë njëri-tjetrin, aq më tepër në një kohë si sot, kur gjithçka që presim nga sektori publik, ky i fundit nuk e ofron dot. Duke filluar që nga siguria për fëmijën, deri tek orari dhe më tej pastaj tek kujdesi i drejtpërdrejtë i trupës mësimdhënëse. Sot është e patolerueshme që arsimi privat të paguajë TVSH-në, duke bërë që prindërit t‘i çojnë fëmijët në arsimin privat, sepse arsimi publik nuk u garanton ato për të cilat ata paguajnë taksat shtetit. Taksat i paguajnë dy herë. Edhe që shteti të ndërtojë infrastrukturën të besueshme për arsimin publik, edhe të shkollojë fëmijët tuaj në arsimin privat. Kjo nuk është një politikë në të mirën e fëmijëve tanë dhe të familjeve tona. Kjo është një politikë, e cila rrjep dy herë të njëjtin dash, për të qenë më i saktë rrjep të njëjtin qengj, që në këtë rast është fëmijë", ka thënë kreu i PSSH-së nga Fieri. "Ne mendojmë se vendimi mbi TVSH-në është një vendim i padrejtë që rëndon drejtpërsëdrejti mbi qindra familja të prindërve të fëmijëve". Takimin në Fier, kreu i PSSH-së e ka cilësuar si një mbledhje e mendimit për strategjinë e arsimit, mbledhje që ka kaluar përtej kufirit të Partisë Socialiste.