E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa e Dervishi: Ekzekutivi kërkon të kontrollojë gjyqësorin

Opozita ka kundërshtuar projektligjin për administratën gjyqësore, duke theksuar se po kërkohet të ushtrohet kontroll nga ekzekutivi mbi të gjitha institucionet. Dje, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, theksoi se "opozita nuk kërkon një administratë gjyqësore, e cila nuk ka një qëllim në vetvete, por një administratë gjyqësore që t‘i shërbejë drejtësisë". Me ligjin që ka sjellë mazhoranca, sipas deputetit të PS-së, nuk kërkohet gjë tjetër veçse një administratë gjyqësore që thellon më tej konfliktin ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit. Sipas Xhafës, "ajo që po ndodh në nivelet e larta, në konfliktin që është tani ndërmjet ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së, me këtë projektligj prek edhe gjykatat dhe ne do të kemi një frymë tjetër konfliktuale të zbritur në nivelin e gjykatave, ndërmjet kancelarit si përfaqësues i ministrit dhe gjyqtarëve". Më konkret, në analizën e projektligjit ishte relatori i opozitës, deputeti Besnik Dervishi. Në të ai ka theksuar se projektligji i propozuar nuk jep kontributin e pritshëm në funksion të forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, përkundrazi, në këtë aspekt ka shumë elementë që shkojnë në të kundërt. Ai ka theksuar se projektligji nuk mbështetet në asnjë studim konkret për nevojat reale të sistemit gjyqësor në këndvështrim të administratës gjyqësore, e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si e shkëputur nga sistemi gjyqësor, por si pjesë përbërëse dhe tejet e rëndësishme e tij. Sipas Dervishit, projektligjit i mungon kontributi thelbësor i aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore, Shkollës së Magjistraturës, forumeve përfaqësuese të gjyqtarëve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, etj., me të cilët duhej të ishte diskutuar më gjerësisht në tavolina ekspertësh, mendimet e të cilëve konsiderojmë se janë të domosdoshme duke qenë se vijnë nga praktika. Dervishi thekson në relacionin e tij se projektligji duhej të ishte i shoqëruar edhe me një faturë financiare. Ky detyrim buron drejtpërsëdrejti nga parashikimet kushtetuese për efekt të pagave në administratën gjyqësore, të cilat parashikohen në projektligj. Për opozitën konstatohet se me këtë projektligj tentohet të ndahet administrimi i përditshëm nga gjykimi, ndërkohë që ka shumë aspekte të administrimit të përditshëm që lidhen me gjykimin dhe që në një mënyrë ose në një tjetër ndikojnë në gjykim. Nga administrimi thuajse është përjashtuar fare kryetari i /gjykatës, ndërkohë që ai është autoriteti më i lartë drejtues në një gjykatë. Më pas Dervishi është ndalur në nene të veçanta, të cilat kontestohen nga opozita duke dhënë edhe shpjegimin përkatës dhe variantin sesi mund të bëhet ndryshimi i tyre për t‘i shërbyer pozitivisht administratës gjyqësore dhe të pranohet nga të gjitha grupet e interesit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›