Topalli nuk mbledh seancën, është në Zvicër
Në rregulloren e Kuvendit është e përcaktuar qartë se dy herë në javë deputetët mblidhen në seancë parlamentare dhe ditët e seancave janë e hëna pasdite dhe e enjtja paradite. Por ndryshe nga herët e tjera, dhe siç ka filluar të bëhet edhe praktikë në këtë mandat qeverisës, shpeshherë seancat e ditës së enjte nuk mblidhen. Njoftimi zyrtar është i zakonshmi, nuk kanë punuar sa duhet komisionet parlamentare, të cilat nuk kanë miratuar në kohë projektligjet e tyre për t‘ia kaluar më pas për shqyrtim dhe miratim Kuvendit. Por tashmë kjo "përrallë" duket se nuk besohet më nga deputetët, megjithëse me zë të lartë e kundërshtojnë ata të opozitës, pasi mazhoranca ende nuk e gjen kurajën për të thënë të vërtetën. Sipas opozitës, shkaku nuk është mungesa e rendit të ditës, pasi ai është i miratuar, por mungesa e Kryetares së Kuvendit. Ajo ndodhet për një vizitë në Zvicër dhe pritet të kthehet sot pasdite. Por menjëherë sapo të kthehet në atdhe, kryetarja ka të tjera takime me delegacione të rëndësishme zyrtare që vizitojnë vendin tonë. Sipas opozitës, shkaku i vërtetë se pse nuk mblidhet seanca parlamentare, është se tashmë PD-ja nuk ka një nënkryetar nga radhët e saj por nga e majta, pasi para pak ditësh, në vend të Fatos Bejës, u zgjodh aleancisiti Neritan Ceka, i cili bën pjesë te grupi parlamentar "E Majta për Integrim". Po kështu, edhe nënkryetari tjetër Ylli Bufi, është nga e majta, kështu që Topalli ka gjetur zgjidhjen më të lehtë, atë të mosmbledhjes së seancës parlamentare të ditës së sotme.